Republika e Kosoves

Kaçanik

INFORMATË PËR AKTIVITETIN E KUVENDIT TË KOMUNËS, NGA KONSTITUIMI I KUVENDIT TË KOMUNËS, 20 DHJETOR 2017 DERI MË 31 DHJETOR 2018  

2018/12/31 - 12:58

 

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Komuna është njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.  Komuna përmes organeve të saj është e obliguar të ushtroj kompetencat në mënyrë ligjore dhe transparente, duke siguruar edhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve  në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale.

Organet e Komunës janë të obliguara që ushtrimin e veprimtarisë së tyre të zhvillojnë sipas Kushtetutës, ligjeve dhe akteve nënligjore të organeve qendrore dhe akteve të cilat i nxjerrin vet. Në kuadër të organeve të komunës , Kuvendi është organi më i lart legjislativ, i cili ushtron funksionin e tij në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Kuvendi mban mbledhjet e rregullta në mënyrë që të kryej funksionet në kuadër të fushë veprimtarisë së tij, të cilat kërkohen me legjislacionin në fuqi.

Kjo informatë ka për qëllim informimin e qytetarëve, Organizatave Joqeveritare dhe çdo grupi tjetër të interesit rreth funksionimit të Kuvendit, nga konstituimi i Kuvendit të legjislaturës 6, më datën 20 dhjetor 2017, deri më 31 dhjetor 2018. Informata shërben si një mjet adekuat për të rritur transparencën e Kuvendit të Komunës.

Përbërja e Kuvendit të Komunës ,dalë nga zgjedhjet e lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura më 22 tetor 2017,është 27 anëtarë, të cilët përfaqësojnë 6 subjekte politike me numër të mandateve : Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 11 mandate, Lëvizja  Vetëvendosje  (LVV) me 5 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) me 4 mandate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) me 4 mandate, Nisma për Kosovën(NISMA) me 2 mandate dhe IQ Lista për Kaçanikun me 1 mandat.

Konstituimi i Organeve të Komunës (Kuvendit dhe Kryetarit të Komunës) së Kaçanikut është bërë me 20 dhjetor 2017.Po në këtë mbledhje me votim të fshehtë është zgjedhur edhe Kryesues i Kuvendit ,i cili kryeson Kuvendin e Komunës, Kemal  Mërseli nga PDK. Me Kuvendin e Komunës udhëheq PDK, si partia fituese e zgjedhjeve në koalicion me  AAK, deri në mbledhjen e fundit  të këtij vitit të datës, 27 Dhjetor  2018, në të cilën tre anëtarë të AAK: Shemsedin Luzha, Albana Troni- Lika dhe Hajredin Luta deklarohen me shkrim së kalojnë si të Pavarur të Kuvendit të Komunës dhe vazhdojnë koalicionin me PDK, ndërkaq anëtarja  e AAK, Afërdita Shehi, si anëtare e vetme e subjektit politik të AAK, deklarohet së në Kuvendin e Komunës, hiqet nga koalicioni me PDK për të vepruar në opozitë.

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut bazuar në nenin 43.2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për gjatë vitit 2018, ka mbajtur 12 mbledhje të rregullta, ndërkaq ka ftuar edhe një mbledhje të jashtëzakonshme ,e cila nuk është mbajtur për shkak të mungesës së kuorumit. Kuvendi i Komunës ka mbajtur 2 mbledhje solemne, njëra me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe tjetra në 20 vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit. Të gjitha mbledhjet e Kuvendit kanë qenë të hapura për publikun.

 

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka formuar dy Komitete të përhershme;

  1. Komiteti për Politikë dhe Financa dhe
  2. Komiteti për Komunitete.

Kuvendi ka formuar edhe një Komitet tjetër, që është Komiteti për Shërbime Publike. gjithashtu ka formuar edhe Komitetin Konsultativ për Persona me Aftësi të Kufizuara.

Komiteti për Politikë dhe Financa ka pasur rol të veçantë në trajtimin dhe adresimin e çështjeve të cilat kanë qenë në interesim të përgjithshëm  qytetarëve të komunës. Komiteti për Politikë dhe Financa i ka shqyrtuar të gjitha pikat që i ka pasur në rend dite dhe i ka përcjell për diskutim dhe  miratim në Kuvendin e Komunës. Komiteti për Komunitete ka mbajtur 4  mbledhje  që kanë qenë të parapara të mbahen në këtë vit. Në mbledhjet e Komitetit për Komunitete janë shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me problemet e qytetarëve.

Komiteti për Shërbime Publike ka mbajtur gjithsej 3 mbledhje, në të cilat janë shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë kryesisht me shërbimet publike në Komunën e Kaçanikut.

Sa i përket Komitetit Konsultativ për Persona me Aftësi të kufizuara, ky Komitet është në formim e sipër.

Kuvendi i Komunës Kaçanik, pos tjerash ka formuar edhe Komisione siç janë : Komisioni për emërimin, riemërimin dhe rishqyrtimin e ankesave të rrugëve lokale, Komisioni për ndryshim plotësimin e Statutit të Komunës, Komisioni për formimin e këshillave të fshatrave dhe Komisioni vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës. Gjithashtu Kuvendi i  Komunës ka formuar edhe Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.

Të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës janë njoftuar paraprakisht me shkrim, ashtu siç kërkohet, 7  (shtatë) ditë pune para mbajtjes së mbledhjes.

 

Aktet e Kuvendit të Komunës

Në periudhën janar – dhjetor  2018, Kuvendi ka shqyrtuar  100 pika të rendit të ditës. Në Kuvendin e Komunës janë miratuar 4 Rregullore komunale, Kornizën Afatmesme Buxhetore  dhe Vendimin për miratimin e Buxhetit  për vitin 2019 dhe vlerësimet për vitet 2020-2021,4 Raporte periodike buxhetore ,Raportin dhe Plani vjetor I Kuvendit ,Raporti  i  Kryetarit për aktivitetin e përgjithshëm të Komunës, Raportet dhe Planet e Komiteteve të Kuvendit dhe Raporti dhe Plani I Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Gjatë kësaj periudhe Kuvendi miratoi  69  Vendime.

Raportimi i Kryetarit në Kuvendin e Komunës

Në mesin e përgjegjësive të Kryetarit të Komunës është edhe raporti  i  Kryetari  para  Kuvendit të Komunës për situatën ekonomiko-financiare, si administrues i financave të komunës lidhur me shpenzimet komunale, investimet kapitale dhe shfrytëzimin e parasë publike. Kryetari i Komunës e ka përmbushur obligimin për raportim në Kuvendin e Komunës  brenda këtij viti, ku forma e raportimit ka qenë me shkrim  dhe atë katër herë për gjatë vitit dhe në formë  verbale çdo herë kur është kërkuar. Gjithashtu ekzekutivi i komunës  i është përgjigjur Kërkesave të anëtarëve të KK aty për aty apo në formë të shkruar.  Kjo është një formë më e mirë e bashkëpunimit dhe llogaridhënies së ekzekutivit ndaj Kuvendit të Komunës.

Monitorimi i mbledhjeve

Monitorimi i mbledhjeve të Kuvendit edhe gjatë këtij viti ka qenë i vazhdueshëm. Aktiviteti  i Kuvendit është monitoruar nga strukturat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja e cila kryesisht i ka përcjellë mbledhjet e KK . Ndërkaq nga strukturat vendore, monitorimi është bërë nga  Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila  vazhdimisht përcjell punën dhe aktivitetin e Kuvendit nga distanca përmes teleprezencës. Të gjitha mbledhjet e Kuvendit janë mbajtur me dyer të hapura, mirëpo interesimi i OJQ-ve dhe grupeve tjera të interesit ka qenë minimal.

 

Publikimi i akteve në  ueb faqen zyrtare të Komunës

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2018, të gjitha  aktet e miratuara në Kuvendin e Komunës janë publikuar në ueb faqen zyrtare të Komunës.

 

Shqyrtimi i ligjshmërisë së akteve

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është autoritet mbikëqyrës i komunave për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të miratuara në Kuvend. Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2018, të gjitha aktet e miratuara në Kuvend janë dërguar për shqyrtimin e ligjshmërisë në MAPL. Nga të gjitha aktet e dërguara në MAPL, një vendim është kthyer për rishqyrtim për shkak të balancimit gjinor në përbërjen e Komitetit për Komunitete , dy vendime janë kthyer për rishqyrtim për  ndërrim destinimin e tokës bujqësore dhe një Vendim për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Ndërsa një Vendim tjetër për ndërrim destinim të tokës bujqësore nuk është rishqyrtuar për shkak se MAPL e ka kthyer pas afatit ligjor.

Aktivitete tjera

Krahas punës në  Kuvendit, ka pasur edhe aktivitete të tjera edhe jashtë Kuvendit. Kryesuesi ka prezantuara në të gjitha takimet e organizuara nga MAPL, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Kolegjiumi i Kryesuesve të Kuvendit dhe takime tjera me qëllim të shqyrtimit të problematikave ,evidentimin e pengesave që hasen gjatë punës së Kuvendit dhe gjetjen e formave për tejkalimin dhe lehtësimin punës së Kuvendit në zhvillimin e politikave lokale. Krahas angazhimit të kryesuesit edhe anëtarët tjerë të Kuvendit kanë dhënë kontributin e tyre në takimet e ndryshme, trajnime dhe seminare të organizuara nga Ministritë, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Organizatat siç janë OSBE-ja , DEMOS-I, UNDP-ja ,SPRC-ja dhe USAID.