Republika e Kosoves

Kaçanik

KKSB mbanë mbledhjen e VI-të për vitin 2020

2020/12/11 - 11:17

Në mbledhjen e VI-të, të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për vitin 2020, u diskutua situata në komunën tonë, si dhe menaxhimi i pandemisë. Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik Halim Shehu, tha se situata në komunën tonë është e qetë dhe nën kontroll. Ai ceku se gjatë periudhës dy mujore janë shqiptuar gjithsej 640 gjoba për mosrespektim të masave kundër COVID 19, siç është mos bartja e maskës nga ana e qytetarëve dhe mos respektimi i orarit nga ana e bizneseve. Komandant Shehu poashtu tha se punimet në Bulevardin “ Ismajl Raka” kanë vështirësuar qarkullimin nëpër qytet, ndërsa bëri thirrje për vozitësit e automjeteve që të mos parkojnë veturat në vende ku ndalohet parkingu, sepse po shkaktohet tollovi në komunikacion.
Ndërkohë, Kryetari i Komunës Besim Ilazi, tha se situata me pandemi në komunën tonë është duke u menaxhuar, jemi në mesin e shtatë komunave që qëndrojmë në zonën e gjelbër, ndërsa edhe në shkolla situata me pandeminë është duke u menaxhuar mirë, ku deri më tani sipas tij vetëm dy shkollat e mesme në komunën tonë, për dy javë kanë kaluar me mësim online, për tu kthyer sërish tash me planin A, me mësim në shkollë. Anëtarët e KKSB-së shpalosën disa ankesa të qytetarëve, siç janë sipas tyre vendimet e padrejta për gjoba për mos bartje të maskës- sidomos në veturë, mungesa e shenjave të komunikacionit etj, ndërsa aprovuan planin e punës së KKSB-së për vitin 2020.