Republika e Kosoves

Kaçanik

KPF mbanë mbledhjen e gjashtë të rregullt për vitin 2019

2019/06/24 - 3:43

Komiteti për Politikë dhe Financa, mbajti mbledhjen e gjashtë të rregullt, për vitin 2019. Anëtarë e KPF-së fillimisht u informuan dhe diskutuan për Draft Kornizën Afatmesme Buxhetore  ( KAB) të Komunës së Kaçanikut për vitet 2020-2022. Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik Bahri Selimi, tha se në projeksionet  e planifikuara është futur edhe zhvillimi i turizmit. Sipas KAB  buxheti i përgjithshëm i planifikuar i Komunës së Kaçanikut për vitin fiskal 2020, i përcaktuar sipas qarkores buxhetore nr. 2020/01 me kufijtë fillestar buxhetor është në shumë prej 9,000,531.00 euro.

Anëtarët e KPF-së kërkuan më shumë investime në fushën e turizmit, duke e futur edhe në listën e prioriteteve komunale.

Ndërkohë drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca Ramadush Osmani prezantoi draft Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, i cili tha se kjo rregullore është obligim ligjor si dhe është pjesë e objektivave të Planit Lokal për Menaxhimin e Mbeturinave. Ndërkohë anëtarët e KPF-së përgëzuan drejtorinë për hartimin e rregullores, duke kërkuar zbatim të plotë në mënyrë të zgjidhet edhe problemi i madh i menaxhimit të mbeturinave.

Vendimi për përzgjedhjen e ofertës ekonomikisht më të favorshme për parcelën kadastrale Nr.P-70917021-00217-0 zona kadastrale Gërlicë e Epërme, sipas konkursit publik Nr.01/2019 të datës 20 mars 2019 si dhe Vendimi për përzgjedhjen e ofertës ekonomikisht më të favorshme për parcelën kadastrale Nr.P – 70917026-00217-0 zona kadastrale Gërlicë e Epërme, sipas konkursit publik Nr.01/2019 të datës 20 mars 2019,  do të trajtohen edhe njëherë për shkak të ndryshimit të gjendjes së pronave ( do të bëhen fletat poseduese të reja).  Anëtarët e KPF-së poashtu diskutuan dhe i përcollën kuvendit për miratim edhe kërkesën e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për marrjen e vendimit nga ana e kuvendit për çështjen e marrëveshjes me Shoqatën e Invalidëve të Luftës për parkingun (Autoparkun),  ndërsa në mungesë të dokumentacionit u hoq nga rendi i ditës Propozim Vendimi për miratimin paraprak të vendimit për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pjesës së ngastrës kadastrale e cila është pjesë e memorialit të varrezave të dëshmorëve, ngastra kadastrale Nr. 00239-0, Zona Kadastrale Soponicë.