Republika e Kosoves

Kaçanik

Kryetari Ilazi mbanë takimin e parë me qytetarët kaçanikas- Prezantohet Korniza Afatmesme Buxhetore Komunale- buxheti komunal për vitin 2020 arrin shumën mbi 9 milion euro

2019/06/20 - 1:34

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, mbajti takimin e parë me qytetarë, me të cilët diskutoi punët dhe projektet kapitale, të arriturat dhe sfidat e pjesës së parë të vitit 2019.

“ Me qëllim të informimit dhe përfshirjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, po takohemi sot për të debatuar për të gjitha punët dhe projektet komunale të realizuara në pjesën e parë të vitit 2019. Përkushtimi ynë institucional ka vazhduar në rregullimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës shkollore, ku tashmë janë në proces të përfundimit katër objekte të reja shkollore, ndërsa së shpejti pritet të filloj ndërtimi i dy shkollave të reja si dhe ndërtimi i aneksit në Shkollën e Mesme Profesionale. Orientimi ynë ka qenë edhe në kulturë, rini e sport, ku së shpejti pas kryerjes së procedurave të tenderimit pritet të filloj projekti  i Stadiumit të Qytetit- faza e dytë ku është e përfshirë edhe pjesa e rregullimit të tribunave” tha Kryetari Ilazi. Ai përmendi edhe dhjetëra projekte kapitale të cilat këtë gjysmëvit kanë përfunduar, të tjerat që janë në proces si dhe projektet që së shpejti pritet të fillojnë, ndërsa shprehu përkushtimin e institucioneve komunale në rregullimin e infrastrukturës shëndetësore, ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientë, si dhe investimet në bujqësi. Ndërkohë Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik Bahri Selimi, prezantoi para të pranishmëve Draft Kornizën Afatmesme Buxhetore të Komunës së Kaçanikut për vitet 2020-2022. Drejtori Selimi tha se për herë të parë që nga pas lufta, buxheti i komunës arrin shumën mbi 9 milion euro, ndërsa kjo është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë të Kryetarit Ilazi me stafin e tij me të gjitha institucionet qendrore. “ Buxheti i përgjithshëm i planifikuar i Komunës së Kaçanikut për vitin fiskal 2020, i përcaktuar sipas qarkores buxhetore nr. 2020/01 me kufijtë fillestar buxhetor është në shumë prej 9,000,531.00 euro” tha drejtori Selimi.

Nga ana tjetër të pranishmit në debat, përgëzuan Kryetarin Ilazi për punën dhe përkushtimin e tij, ndërsa kërkuan investime të mëtejme në arsim e në veçanti në disa objekte shkollore, rrugë, kanalizime, trotuare, ndriçim publik, mirëmbajtje të ambientit- menaxhim të mbeturinave etj. Në këtë takim u debatua edhe për Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave të cilën e prezantoi drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca Ramadush Osmani.