Republika e Kosoves

Kaçanik

Kryetari Ilazi uron qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit në Kaçanik

2018/06/11 - 10:30

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, ka uruar qytetarët, me rastin e Ditës së Çlirimit në Kaçanik.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Kaçanikut, kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të institucionit që drejtoj të ju uroj me rastin e Ditës së Çlirimit të Kaçanikut.
Sot 19 vite më parë, në qytetin tonë lindi dielli i lirisë. 19 vite më parë, në fytyrat e njerëzve të vuajtur e të dërmuar nga një okupim i egër, lindi buzëqeshja. Gëzimi, festa e hareja përshkonte çdo rrugë të vendit tonë. Kjo ditë historike në qytetin tonë, shënon ditën e triumfit të lirisë mbi robërinë, dhe të drejtësisë mbi padrejtësinë.
Por, asnjëherë ne nuk duhet harruar se sot po jetojmë të lirë, falë gjakut të derdhur të bijave dhe bijve më të dashur që kishte vendi ynë, që ishin radhitur tok pranë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përbetuar deri në vdekje për lirinë e atdheut. E Ju familje të dëshmorëve e martirëve të rënë, qëndroni të forta e krenare, sepse ishin vashat e djemtë tuaj, që i falën dritë atdheut me gjakun e tyre.
Ndërsa neve na mbetet që të punojmë e të përkushtohemi për ndërtimin e shtetit demokratik, duke quar në vend amanetin e dëshmorëve dhe gjithë të rënëve ndër breza, për lirinë që sot e gëzojmë. Urime Kaçanik, urime Kosovë, festofshim edhe shumë vite të tjera në liri. Gëzuar”, thuhet në urimin e Kryetarit Ilazi.