Republika e Kosoves

Kaçanik

Mbahet debat publik me temë: Puna e Kryetarit Ilazi të arriturat dhe sfidat për periudhën Janar- Dhjetor 2020

2020/12/18 - 4:24

 

 

Puna e Kryetarit Besim Ilazi të arriturat dhe sfidat për periudhën Janar- Dhjetor 2020, u diskutuan sot në debatin publik me qytetarë, të organizuar nga kryetari i Komunës Besim Ilazi.

Bazuar në ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës,  me qëllim të informimit dhe pjesëmarrjes së gjerë dhe aktive të publikut dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi, debati kishte për qëllim që qytetarët të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër punën dhe aktivitetet komunale gjatë një viti. Fillimisht Kryetari Ilazi shpalosi punën dhe projektet e realizuara gjatë vitit 2020. “  Viti 2020 ishte një vit me shumë specifika, që na ndryshoi rrjedhën e jetesës të gjithëve, pa dallime. Megjithë vështirësitë me të cilat u përballë bota në menaxhimin e pandemisë, punët dhe aktivitetet komunale nuk janë ndalur. Investimet në projektet e ndryshme infrastrukturore, kanë vazhduar sipas planifikimeve buxhetore. Së bashku me stafin e përkushtuar komunal, kanë përfunduar disa projekte madhore, të cilat kanë pasë prioritet në qeverisjen time komunale. Në mesin e shumë projekteve nëpër fshatra, investimet komunale, edhe këtë vit ishin të orientuara në qendër të qytetit.  Në këtë mes nuk mund të lë pa e përmendur kompletimin e infrastrukturës në rrugën “ Avdurrahim Shehu”, një projekt që ka jetësuar mirëqenien në këtë pjesë, në një terren të ashpër. Poashtu punime janë në përfundim  edhe në projektin e rregullimit të Bulevardit “ Ismajl Raka”, ku tashmë qendra kryesore e qytetit do të merr një pamje të re. Investimet janë realizuar edhe nëpër fshatra, në asfaltim, kompletim të infrastrukturës me trotuare, kanalizim e ujësjellës, ndriçim publik, krijim të hapësirave gjelbëruese, mirëmbajtje e hapësirave publike etj. Investime janë bërë edhe në arsim. Edhe këtë vit kemi vazhduar me përurimin e objekteve të reja shkollore, pajisjen e shkollave me kabinete të shkencës dhe teknologjisë, si dhe investime të tjera në inventarë të nevojshëm shkollor. Kurse mësimi në kushte pandemie ishte një sfidë e re, të cilën e menaxhuam mjaft mirë, falë bashkëpunimit mes drejtorisë së arsimit dhe shkollave. Gjatë tërë kohës është bërë pajisja e shkollave me material të nevojshëm higjenik dhe mjete të tjera mbrojtëse ndaj virusit COVID. Prioritet gjatë këtij viti ishte edhe mirëqenia sociale e qytetarëve, mbijetesa e tyre, në kushtet pandemike. Mbi 1000 pako ushqimore janë ndarë nga komuna përmes buxhetit komunal, ndërsa edhe qindra të tjera janë ndarë përmes bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm. Poashtu gjatë vitit 2020, edhe bujqit kanë qenë pjesë e buxhetit komunal. Përkrahja me serra dhe ndërtimi i kanaleve të ujitjes, ndihmuan në lehtësimin e punës së bujqve, si dhe përkrahje në forma të tjera”, u tha mes tjerash nga raporti i punës së kryetarit Ilazi  për vitin 2020.  Të pranishmit në debat përfaqësues të fshatrave, lagjeve, OJQ-ve dhe përfaqësues të shkollave, fillimisht përgëzuan institucionet komunale për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë kësaj kohe të pandemisë, ndërsa ndanë kërkesat e tyre për nevojën e asfaltimit të disa rrugëve, përfshirë edhe infrastrukturën përcjellëse, ujësjellës, kanalizim, shënjëzim dhe emërtim të rrugëve, investime në arsim sidomos në pajisjen me inventarë të ri të shkollave etj. Debati u organizua duke përfillur rregullat dhe masat mbrojtëse ndaj COVID 19.