Republika e Kosoves

Kaçanik

Projekti “Rregullimi dhe asfaltimi i rrugëve të qytetit” do të financohet nga granti i fituar i performancës komunale

2019/02/11 - 11:43

Shumë aktivitete dhe përgatitje për fillim të projekteve kapitale janë realizuar nga Komuna e Kaçanikut në javën që sapo lamë pas. Kryetari Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra, udhëhoqën takimin me ekzekutivin komunal, ndërsa u njoftuan në lidhje me të gjitha aktivitetet e javës së kaluar si dhe planifikimet për javën që sapo kemi nisur. Drejtori i Shërbimeve Publike Ramadush Osmani, njoftoi se ka përcjellur të gjitha shënimet e nevojshme në MAPL dhe DEMOS për projektin ““Rregullimi dhe asfaltimi i rrugëve të qytetit”, i cili do të financohet nga granti i fituar i performancës së mirë komunale. Përgatitje e procedurave të nevojshme për fillim të realizimit të projekteve, janë duke u bërë edhe në projektet “ Ndërtimi i kanalizimeve fekale dhe atmosferike”, “Asfaltimi I rrugës Terziu” si dhe “Asfaltimi i rrugës beteja e 25 majit”- Dubravë. Ndërkohë, Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka njoftoi se Qendra Kryesore e Mjekësisë familjare në Kaçanik ka shënuar 4 shkurtin- ditën Ndërkombëtare të Kancerit si dhe mbajti një ligjëratë për të drejtat e pacientit organizuar nga Organizata për të drejtat e pacientit nga Prishtina. Nga ana tjetër Drejtori i Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit Bahri Selimi, njoftoi se janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e punimeve rreth shpërndarjes së faturave të tatimit në pronë, pasi që këtë vit për herë të parë fillon aplikimi i tatimit për tokën dhe është risi dhe fluks më i madh i punëve në këtë drejtori. Aktivitete dhe punë të tjera janë realizuar edhe në drejtori dhe sektorë të tjerë komunal.