Republika e Kosoves

Kaçanik

Shënohet 10 gushti- Dita e dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik

2024/08/10 - 8:37

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, janë organizuar një mori aktivitetesh për shënimin e 10 gushtit- Ditës së dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Aktiviteti kryesor është mbajtur në Pallatin e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, përmes një akademie përkujtimore, ku janë përkujtuar dëshmorët e Komunës së Kaçanikut. Me këtë rast Nënryetari i Komunës së Kaçanikut Sabedin Vishi, tha se 10 gushti mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase me 10 gusht 1998, dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht Komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj.
Ditët e ngjarjeve të mëdha, që ushqejnë kujtesën tonë jo vetëm në datën e caktuar, pa dyshim se na krijojnë kënaqësi të veçantë dhe privilegj.
“ Janë mbi dy dekada, 26 vite, që kur në Gabrricën historike, krisën pushkët e para të UÇK-së në zonën e Kaçanikut. Janë këto krisma që sado të dhimbshme që ishin për ne, ishin krisma që sollën sinjalin se liria ishte afër.
Agimi, Besniku e Xheladini, të rritur në familje ku buroi fryma atdhetare, e edhe shumë ushtarë e dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- u bënë forca, guximi, e besimi për të mirën, për të ardhmen e ndritur për lirinë e shumëpritur. Ata do të shkojnë në përjetësi, duke lënë mbrapa qindra e mijëra luftëtarë të lirisë, që ishin të betuar në mbrojtje të atdheut deri në vdekje.
Ne vazhdojmë ta nderojmë pambarimisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë që na vjen shumë keq se përkundër misionit të tyre çlirimtar, edhe sot, disa nga krerët e Ushtrisë sonë Çlirimtare, në mënyrë paradoksale, po mbahen të privuar lirie në Gjykatën Speciale në Hagë, por të cilët kemi arsye të besojmë se së shpejti, pikërisht mbi konceptin e lirisë, do ta provojnë edhe pafajësinë e tyre… Për t’iu kthyer familjeve, shoqërisë sonë dhe vendit për të cilin luftuan ” tha mes tjerash në fjalën e tij Nënkryetari i Komunës Sabedin Vishi, ndërsa porositi që të punojmë së bashku, si udhëheqje e si qytetarë, që rinisë t’i mundësojmë kushte mësimi e zhvillimi të jetës, pa harruar sakrificat e kaluara në rrugën e lirisë.
Në emër të Organizatave të dalura nga lufta, foli Azem Guri- Komandant Batalionit, kurse të pranishmit i përshëndeti edhe Gjeneral Shukri Buja.
Në emër të familjeve të Dëshmorëve përshëndeti dhe falenderoi Hajrush Kurtaj- vëllau i dëshmorit Xheladin Kurtaj. Në fund u shfaq një program artistik nga artist kaçanikas.
Para se të filloj akademia, janë bërë homazhe pranë monumentit të Komandantit Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, në fshatin Gabrricë, në kompleksin memorial te varrezat e dëshmorëve, homazhe pranë shtatoreve të Komandantëve Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi dhe busteve të veprimtarëve të çështjes kombëtare Idriz Seferi, Sali Bajra dhe Ismajl Raka, ndërsa gjatë ditës do të organizohen këto aktivitete:
Ora 18:00 Ekspozita kolektive me artist të rinj “ House of Creative”, për nderë të artistit, dëshmorit Xheladin Kurtaj
Vendi: Shtëpia e Kulturës “ Xheladin Kurtaj”
0ra 19:00 – Turneu në futsall me ekipet fituese të turneve memoriale 2024
Vendi: Palestra Sportive
0ra 21:00- Festa e tifozerisë “ Fikshat” me rastin e 25 vjetorit të themelimit
Vendi: Sheshi i Qytetit