Republika e Kosoves

Kaçanik

Të nderuar qytetarë të Komunës së Kaçanikut

2018/12/31 - 11:19

Po e përmbyllim vitin 2018, me shumë punë e angazhime për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pa dallime. Edhe gjatë këtij viti jemi përballur me shumë sfida e vështirësi, por falë punës dhe angazhimit tonë të përbashkët, kemi arritur të finalizojmë shumë punë e projekte që kanë për qëllim mirëqenien qytetare. Llogaridhënia dhe transparenca qytetare, janë objektivat parësore të cilat kanë përcjellur qeverisjen tonë lokale. Edhe gjatë vitit 2018, kemi përmbushur 100 % nivelin e transparencës komunale, duke hyrë në mesin e pesë komunave me performancën më të mirë, e duke u shpërblyer me grantin e performancës. Mirëqenia qytetare ishte prioritet i yni edhe gjatë këtij viti. Shumë projekte kapitale komunale u realizuan gjatë këtij viti, pa lënë anash asnjë fshat apo lagje të qytetit. Investime u realizuan në Infrastrukturë rrugore, ndriçim publik, trotuare, instalim dhe rregullim të rrjeteve të kanalizimit e ujësjellësit, mirëmbajtje të rrugëve dhe ambientit, investime ne arsim, kulturë rini e sport, ndërsa kujdes të veçantë i kemi kushtuar sigurisë qytetare përmes ndriçimit publik në lagje e fshatra si dhe tek varrezat e dëshmorëve- aty ku pushojnë pishtarët e lirisë. Gjatë kësaj periudhe, nga lista e investimeve kapitale me buxhetin e komunës janë realizuar gjithsej 19 projekte rrugësh të asfaltuar dhe ndërtuar me kubëza , ku gjatësia e rrugëve të ndërtuara arrin 11,010.46m. Edhe këtë vit investuam edhe në ndërtimin e tri urave, investim që njëkohësisht simbolizon lidhjen e njerëzve me njëri tjetrin. Poashtu përmes bashkëpunimit me institucionet qendrore, përmes ministrive të ndryshme kemi realizuar dhjetëra projekte në rregullim dhe asfaltim të rrugëve.
Projektet në arsim kanë vazhduar edhe këtë vit në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve shkollore, ndërsa jemi orientuar veçanërisht në pajisjen e kabineteve me mjete të nevojshme pune, si parakusht për ngritje të cilësisë në arsim. Në sektorin e kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe këtë vit nuk kanë munguar projektet dhe aktivitetet e ndryshme. Objekte dhe renovime të reja shëndetësore, kishte edhe gjatë këtij viti, të mbështetur gjithmonë përmes motos “ Pacienti në qendër të vëmendjes”. Mirëqenia e kategorive sociale ishte në vëmendjen tonë, ku edhe këtë vit kemi vazhduar traditën e ndihmesës me ndihma momentale. Ndërsa vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe personave me nevoja të veçanta, ku në vazhdimësi kemi përkrahur aktivitetin e organizatave që punojnë për mirëqenien e tyre, duke i mbështetur edhe me mjete financiare. Përkrahja e bujqve ishte në agjendën tonë të investimeve, duke pasur parasysh që vendi ynë përmbush kriteret kryesore për zhvillim të kësaj veprimtarie, ku kemi përkrahur fermerët me pajisje të nevojshme për bujqësi. Investimet e përkushtimi institucional nuk ka munguar edhe në administratë komunale e zhvillim ekonomik.
Edhe këtë vit kemi punuar nën frymën e bashkëpunimit me institucionet qendrore, ndërsa bashëpunimin tonë kemi zgjeruar edhe me ministritë e tjera, të cilat kanë realizuar shumë projekte në kuadër të zhvillimit ekonomik. Bashkëpunimin kemi vazhduar me organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare që kanë synim krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e Kaçanikut. Para vetes na pret një rrugë plot sfida, punë e përkushtim edhe për vitin 2019, por duke punuar së bashku në frymën e bashkëpunimit të mirëfilltë, jemi të bindur se viti 2019 do të jetë vit i mirëqenies së qytetarëve dhe vit i sukseseve të reja për Komunën e Kaçanikut. Urime dhe shumë suksese për vitin 2019..!