Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Kamenicë

Kamenica shënon 19 nëntorin- Ditën Botërore për parandalimin e abuzimit të fëmijëve

2021/11/22 - 2:02

Të premten më 19 nëntor 2021 në kuadër të projektit ‘’Së bashku kundër abuzimit të fëmijës’’ që është duke u implementuar nga organizatat Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me Qendrën për Studime të Avancuara (FIT) dhe në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës, u shënua ‘’19 Nëntori – Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijëve’’.

Pjesë e organizimit të këtij aktiviteti ishte edhe BONEVET Kamenica dhe Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut në Kamenicë, ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian.

Një grup nxënësish së bashku me organizatorët e aktivitetit kanë shpërndarë broshura dhe fjongo me ngjyrë të kaltër, që simbolizon pasojat e abuzimit si dhe kanë bashkëbiseduar me fëmijët dhe kalimtarët tjerë të rastit, duke i informuar ata me qëllimin e këtij aktiviteti.

Ndërsa edhe në shkollën ‘’Abdullah Krashnica – Presheva’’ në Koretin, me iniciativën e psikologes së shkollës, Anita Krasniqi është organizuar një ligjeratë me nxënësit e kësaj shkolle, për t’i ndërgjegjësuar ata për rëndësinë e parandalimit të abuzimit.

Historiku i shkurtër i ‘’Ditës Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës’’
Në vitin 2000, Fondacioni i Samitit Botëror të Grave (WWSF), një organizatë joqeveritare, shënoi Ditën Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës më 19 nëntor. Ky fondacion, së bashku me një koalicion ndërkombëtar të organizatave avokuese për gratë dhe çështjet e fëmijëve, mobilizuan qeveritë dhe shoqëritë për të ndërmarrë veprime dhe për të parandaluar abuzimin e fëmijëve.

Kjo fushatë filloi në vitin 2020 edhe në Kosovë. Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me Qendra për Studime të Avancuara (FIT) do të shënojnë për tri vite me radhë këtë ditë në kuadër të projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR). Ky projekt ka filluar të zbatohet në shkurt të vitit 2020 dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjithë fëmijët të trajtohen me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tyre duke promovuar mjedis pa abuzim në shkollat e Kosovës.