Republika e Kosoves

Kamenicë

Kryetari Kastrati viziton mullirin e renovuar në Hogosht

2020/05/22 - 12:19

Mulliri Binjak në fshatin Hogosht të Komunës së Kamenicës është renovuar.

Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit Arianit Ibrahimi kanë vizituar këtë mulli për të parë nga afër renovimin e tij.

I pari i Komunës tha se tani ky mulli ka marrë pamjen e merituar dhe se ky monument kulturor është një nga pasuritë që ka komuna jonë.

“Mulliri Binjak afër ujëvarës “Qurreli” në Hogosht, tani ka marrë pamjen e merituar. Ky monument i trashëgimisë kulturore është vetëm një nga shumë pasuri të kësaj natyreje që komuna jonë ka. Historinë e kulturës sonë duhet ta ruajmë e të kujdesemi për të. Kjo hapësirë është shndërruar në atraksion turistik për banorët e Kamenicës e më gjerë, kurse do angazhohemi me të gjitha kapacitetet që kemi të gjejmë hapësirë e mundësi t’i renovojmë edhe monumentet tjera”, tha Kastrati.

Ndërkaq drejtori i DKRS-së Arianit Ibrahimi ka falënderuar të gjithë për punën e palodhshme që kanë bërë për renovimin e këtij objekti të trashëgimisë kulturore.

“Falënderojmë të gjithë ata që punuan pa ndal për renovimin e këtij objekti, objekt i cili tani do të tërheq edhe vizitorë të ndryshëm me pamjen që tani ka marrë”, tha Ibrahimi.

Ky monument kulturor është përzgjedhur nga lista e 23 objekteve të trashëgimisë kulturore të përpiluar nga Forumi lokal i trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me organizatën CHWB.

Renovimin e Mullirit Binjak e ka mbështetur Zyra e Bashkimit Evropian.