Republika e Kosoves

Klinë

Akademi përkujtimore për Dëshmorin  e Kombit, Haki D. Morina

2018/10/20 - 4:19

Në përkujdesje të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe organizim të Shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë, është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar  Dëshmorit të Kombit, Haki D. Morina
Akademia është mbajtur në fshatin Gllarevë, ku me një fjalë rasti, Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr.Zenun Elezaj tha se: Jemi tubuar, sot, këtu, për ta përkujtuar në 27-vjetorin e rënies heroike të  dëshmorit të kombit, Haki Dinë Morina, i cili ishte shembull për të gjithë ata që besuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe lirinë e këtij vendi.
Po ashtu, sot, në këtë vend, jemi tubuar për ta rilindur  në lapidar këtë Dëshmor të Atdheut tonë të Shtrenjtë, i cili do të rrezatojë dritë përjetësie dhe dritë ardhmërie për brezat që vijnë.
Lufta  për lirinë e këtij vendi është e hershme sa edhe përpjekjet e këtij populli për lirinë e Atdheut.  Tempulli i lirisë së Kosovës ka qenë i gjerë për t’u mbushur me gjakun e bijave dhe bijve më të shtrenjtë të këtij kombi. Tempulli i lirisë ka qenë vendi ku janë bashkuar emrat e më të  shtrenjtëve të Kosovës, ata u dolën zot vatrave tona, kësaj toke që e kanë trashëguar nga të parët tanë. Prandaj, këtij ideali shumë herët i është bashkuar edhe Dëshmori i Kombit, biri i këtij vendi, Haki Dinë Morina, duke bërë veprën më sublime, në moshën më të re atdheut të tij duke ia falë jetën.
 Ky LAPIDAR që po e lartësojmë sot, këtu, në këtë vend të bekuar, dëshmon çmimin e lirisë së Kosovës.  Është simbol që i  jep dinjitet për jetët e ndërprera  në fillim të tyre. Një tokë që mban mbi vete këtë LAPIDAR, dhe të shumë idealistëve të tjerë, që jetën e tyre e dhanë për  idealin e lirisë së Kosovës, e ka të sigurt një te ardhme të ndritshme.
Dëshmori i Kombit, Haki Dinë Morina, ky bir i shtrenjtë i familjes atdhetare Morina, dha betimin për ta çuar në vend amanetin e të parëve në shërbim  të lirisë dhe të atdheut. I kishte dhënë obligim vetes që t’i lërë anësh të gjitha prioritetet e jetës së tij që kishte përpara, për ta kryer një mision të shenjtë para ndërgjegjes kombëtare, mbërritjen e lirisë për popullin e tij.
Ky dëshmor i kombit, përkrah shumë idealistëve  të tjerë, iu kundërvë  okupatorit, i cili i kishte privuar lirinë dhe bënte përpjekje që tokën e tij ta mbajë përgjithmonë të shtypur dhe  robëruar. Mirëpo, armiku gjakatar për asnjë  çast  nuk mundi ta thyejë shpirtin liridashës të Hakiut dhe gjithë idealistëve të tjerë, duke iu qëndruar besnik idealit të lirisë.
Hakiu dhe gjithë bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, tërësisht ishin të vetëdijshëm  se një ditë  gjaku dhe sakrifica do të kulmojnë  me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, aspiratën e tij dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së këtij vendi.
Pra, nga rrënjët e gjakut të këtij dëshmori të kombit dhe gjithë dëshmorëve dhe martirëve të tjerë, u lind shteti i Kosovës, të cilin sot po e ndërtojmë dhe po e forcojmë në përpjekje që të gjejë një vend nën kulmin e shteteve demokratike, po ashtu edhe strukturat tjera të Aleancës Veri-atlantike.
Nga rrënjët e këtij gjaku të derdhur të shumë martirëve, dëshmorëve dhe heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificës shekullore të këtij populli, angazhimit të secilit të kontribuojë në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës, si dhe mbështetjes së miqve tanë ndërkombëtarë, këto përpjekje u finalizuan me ditën e djeshme të lindjes së Ushtrisë së Kosovës, që është një nga ditët më historike në këtë rrugëtim të popullit të Kosovës, njëherësh është edhe jetësim i amanetit të shumë brezave, ëndërr shekullore e tyre. Urime të gjithëve!
Miq të dashur,
Nga sot në këtë vend, duke vlerësuar si një borxh modest kundrejt vlerave të dëshmorit të kombit Haki Dinë Morina, do të rrezatojë ky lapidar, që me pietet  do ta nderojë figurën e Tij, të familjes së tij, të fshatit të tij, të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë.
Lavdi jetës dhe veprës sate, Haki!
Lavdi dhe përjetësi për gjithë dëshmorët të tjerë të Kombit!
Gëzuar ky Lapidar, që me krenari po lëshon shtat në këtë vend të shenjtë!
Ju faleminderit!