Republika e Kosoves

Klinë

AKV, “DËSHMORËT E KOMBIT”, FITUES TË EDICIONIT TË 19-TË TË FESTIVALIT FOLKLORIK, “I KËNDOJMË LIRISË”

2019/06/09 - 5:18

Ka përfunduar Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”, që u mbajt me 6, 7 dhe 8 qershor në Klinë.

Ky festival organizohet cdo qershor për nderë të ish Komandantit të UCK-së, Mujë Krasniqit, ndërsa ky ështëedicioni i 19-të i organizimit.

Fitues i çmimit kryesor, “Mujë Krasniqi”, është ansambli i këngëve dhe i valleve, “Dëshmorët e kombit”, nga Obiliqi. Vendin e dytë e fitoi AKV “Drenica” nga Skenderaj, të tretin “Shotë Galica”, ndërsa çmimi i publikut i takoi ansamblit të këngëve dhe valleve të Lushnjës.

Ndarjen e çmimeve e bëri Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj  bashkë me babain e Komandant Kapuçit, Halil Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof . Dr. Zenun Elezaj, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në festival duke u dëshiruar pjesëmarrje të serishme edhe në festivalet e ardhshme.

“Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar, “I këndojmë Lirisë”, duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues”, është shprehur kryetari Elezaj.

Për tri net me radhë në skenën e festivalit u ngjiten këngëtarë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet etnike, ku shpalosen vlerat e mirëfillta folklorike kombëtare.

Po ashtu, janë organizuar aktiviteteve të tjera kulturore e sportive. Për tri net ka qëndruar i hapur Panairi me prodhime vendore, i organizuar nga Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria Komunale e Bujqësisë.

Këtë vit, për herë të parë festivali është mbajtur në një ambient të përshtatshëm, në sheshin “Mujë Krasniqi”, përkrah shtatores së Komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqit- Kapuçit.