Republika e Kosoves

Klinë

ARIF MOLLIQI, FITUES I ÇMIMIT TRADICIONAL “ORA E TAHIR DESKUT”

2023/09/07 - 2:33

Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës sot është mbajtur edicioni XIV i manifestimit tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”, i cili për çdo vit mbahet nën përkujdesjen e komunës së Klinës dhe organizohet në shenjë përkujtimi dhe homazhi të poetit klinas Tahir Desku.
Në këtë manifestim kanë marrë pjesë kryetari komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, drejtoresha e Kulturës, znj. Fatjona Gashi, familjarë të Tahir Deskut, shkrimtarë, poetë dhe qytetarë.
Kryetari Elezaj në fjalën e tij tha se dita e sotme është ditë përkujtimi dhe nderimi për Tahir Deskun, për sakrificën e madhe të shkrimtarëve ndër dekada, për shtegtimin e librit shqip.
“Dita e sotme në Klinë nuk është vetëm festë libri mes nesh. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për Tahir Deskun. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për sakrificën e madhe të shkrimtarëve ndër dekada. Është ditë kujtimi për shtegtimin e librit shqip. Sot është ora e shkrimtarit Tahir Desku që ecën paralelisht me orën tuaj, me shqetësimet tuaja, me gëzimet tuaja, me emocionet tuaja, me reagimet tuaja.
Secila orë e shkrimtarit që organizohet në Kosovë është e ndryshme prej sonës që organizojmë në Klinë me emrin e ish-luftëtarit të lirisë, të gazetarit dhe të poetit Tahir Desku, i cili plagëve të luftës, edhe dashurisë, u ka kënduar orë e çast maleve të Drenicës, të Dukagjinit, rrugëve të Kosovës, të Evropës e të Amerikës.
Në çdo edicion të ri këtë manifestim po përpiqemi ta bëjmë më madhështor dhe më të mirë edhe me përkrahjen e tuaj. Prandaj, ju shpreh falënderime të përzemërta që sot keni ardhur në Klinë për përkujtim, nderim dhe takim. Gjithashtu, më bëhet shumë qejfi që sivjet anëtar jurie për çmimin letrar ‘Ora e Tahir Deskut’ është miku i tij Adem Gashi, vite më parë laureat i këtij çmimi, i cili, si askush tjetër, e njeh krijimtarinë poetike të tij, sepse ka bashkëpunuar gjatë me të, edhe gjatë procesit krijues.
Në manifestimin tradicional letrar ‘Ora e Tahir Deskut’ disa vjet me radhë kanë ardhur krijues nga të gjitha trevat shqiptare. Poetë dhe prozatorë janë nderuar me çmime të ndryshme e shumë të tjerë kanë marrë lëvdata për poezitë, për tregimet, për romanet. Keni ardhur edhe ju sot e do të vijnë edhe të tjerë pas jush me vepra arti në duar për ta paraqitur talentin, ndonjëri edhe për ta nisur rrugën e poetit”, tha kryetari Elezaj në fjalën e tij.
Në këtë edicion të këtij manifestimi letrar, në mesin e dhjetë veprave konkurruese, juria (në përbërje të Adem Gashit, Agron Y. Gashit dhe Albanë Mehmetajt) unanimisht vlerësoi me Çmimin “Ora e Tahir Deskut” romanin e Arif Molliqit me titull “Arkivi i letrave të djegura”.
Manifestimi vazhdoi me një orë të madhe letrare, në të cilën poetë të shumtë deklamuan poezitë e tyre dhe u dhanë tri çmime për poezi.
Çmimi i parë iu dha poetes Vlora Rexhaj për poezinë “Diku”, i dyti Idriz Berishës për poezinë “Zemër nëne”, i tretë Mehdi Krasniqit për poezinë “Tahir Desku”.
Në këtë manifestim tradicional letrar u bë edhe përurimi i librit kushtuar Tahir Deskut, “Poeti që hyri në baladë” nga autori Prend Buzhala.