Republika e Kosoves

Klinë

Drejtoria e Shëndetësisë në Klinë, ngritë nivelin e gatishmërisë për ethet hemorragjike

2018/03/19 - 1:50

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë, ka ndërmarre të gjitha masat e duhura për t’u përballur me ethet hemorragjike krime kongo që shkaktohen nga pickimi i rriqrave. Drejtori, Hekuran Sejdiu, thotë se meqë jemi në sezonin e pranverës kur lajmërohen edhe rastet e pickimit nga rriqrat, drejtoria ka marrë masat e duhura dhe se shpejti do të nisë edhe fushatën vetëdijesuese në terren, si të mbrohemi dhe masat që duhet ndërmarrë në rast të pickimit nga rriqrat dhe prekjes nga ethet hemorragjike.

Tashmë DSH-ja në Klinë, ka marrë edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Rekomandimet e Institutit Kombëtar për qytetarët:

1.Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.

Instituti Kombëtar bënë thirrje të qytetarët se duhet të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:

1.Të punohen të gjitha tokat e punueshme,
2. Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë,
3. Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive,
4. Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve,
5. Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura
6. Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.