Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Klinës, ka përmbyllur sot aktivitetet për shënimin e “Javës së Kulturës”, me organizimin e nëntorriades letrare e cila shfaqi promovime e orë letrare, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, nga krijuesit, Prend Buzhala, Ismet Krasniqi, Mikel Gojani si dhe Fazli Ferati.
Të pranishëm ishin drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, stafi i DKRS-së, krijues letrarë, piktorë e artistë të Klinës, mësimdhënës e nxënës të shkollave, media etj.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, në këtë takim u shpreh e lumtur që me sukses po përmbyllet një javë e mbushur me aktivitete artistike e kulturore. Nëpërmes këtyre aktiviteteve po prezantohet aspekti i organizimit shoqëror, plotë gjallëri e kreativitet në Klinë në dimensione të ndryshme.
“Kjo javë ishte një mundësi e mirë për të promovuar artin, letërsinë, muzikën dhe gjithashtu të ngrehim vetëdijesim nëpërmes debateve të tematikave të ndryshme. Debatet ndër-kulturore kanë shërbyer si promotor i avancimit të diversitetit kulturor.
Një festival të tillë synojmë ta kthejmë në aktivitet tradicional, i cili vit pas viti do të plotësohet me fusha tjera dhe do të shfaq edhe më shumë përfaqësimin kulturor e tradicional Klinas” – ka thënë drejtoresha Gashi.
Mbrëmë është bërë edhe shfaqja e filmave me regji të studentëve të Fakultetit të Arteve të Prishtinës, siç ishin: “Katër Mure”, “Mali i Mallkuar”, “Fjalëkryqi”, “My Last Night”, “Mendoj, Ashtu dhe Jam” si dhe “My Own Path”.