Republika e Kosoves

Klinë

ELEZAJ PRITI NË TAKIM ZYRTAR KRYETARIN E KOMUNËS NOTTWIL NË ZVICËR, WALTER STEFFEN, DHE BIZNESMENË ZVICERAN

2019/07/20 - 12:35

Sot, Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Nottwilit në Zvicër, Walter Steffen dhe biznesmenë zviceran.

Vizita e z. Steffen dhe biznesmenëve zviceran ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme ekonomike dhe kulturore, me theks të veçantë në shkëmbim të përvojave në menaxhim dhe riciklim të mbeturinave.

Kryetari Elezaj falënderoi z. Steffen për vizitën dhe po ashtu për kontributin që ka dhënë shteti dhe populli zviceran për shqiptarët gjatë lufte dhe ndihmën e vazhdueshme në konsolidimin e institucioneve shtetërore në Kosovë.

Elezaj theksoi se ky takim ka një rëndësi të veçantë, si në shkëmbim të përvojave në fusha të ndryshme, po ashtu edhe për biznesmenët zviceranë për të parë nga afër kushtet e favorshme ekonomike për investime në Klinë.

Ndërsa z. Steffen falënderoi kryetarin Elezaj për mikpritjen dhe përgëzoi atë për punën në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Ai shtoi se Kosova dhe Klina është një vend që ofron mundësi shumë të mira për investime për sipërmarrës të suksesshëm, dhe theksoi se menaxhimi dhe riciklimi i mbeturinave është një mundësi reale për investim.

Në fund të takimit të dy palët janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin, me qëllim të planifikimit dhe realizimit të investimeve në komunën e Klinës dhe të shkëmbimit të përvojave në fusha ta ndryshme.