Republika e Kosoves

Klinë

Elezaj shpërndan çelësat e banesave për 35 familje të kategorive të dala nga lufta

2019/04/25 - 3:30

Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të Organizatave të Dala nga Lufta, sot ka marrë pjesë në ceremoninë për shpërndarjen e çelësave për 35 banesave që janë ndërtuar nga Komuna e Klinës për familjet e kategorive të dala nga lufta.

Kryetari Elezaj ka uruar qytetarët për banesat e reja dhe ka siguruar se përkujdesi për këto kategori të luftës dhe familjet në nevojë nuk do të mungojë as në të ardhmen dhe se do të vazhdojë edhe me ndërtimin e objekteve tjera të banimit me qëllim të sigurimit të kushteve të mira të banimit.

Ai ka shtuar se qëllim i qeverisjes së tij është që çdo herë të i`u dal në ndihmë familjeve të dëshmorëve, martirëve, invalidëve, veteranëve pasi janë ata që dhanë çdo gjë për lirinë e Kosovës, me qëllim që të kenë përkrahjen institucionale dhe të jetojnë në mënyrë dinjitoze.

Familjarët janë ndarë të kënaqur me kushtet e banesave dhe kanë falënderuar kryetarin e komunës për ndërtimin e këtij objekti të banimit dhe kujdesin që po tregon ndaj kësaj kategorie të shoqërisë.

Ky objekt i banimit është ndërtuar me financim të Komunës së Klinës.