Republika e Kosoves

Klinë

Fillojnë punimet për rregullimin e oborrit te kulla e Mujë Krasniqi në fshatin Çabiq

2019/04/11 - 1:49

Sot është bërë inaugurimi i punimeve për rregullimin e oborrit te kulla e Mujë Krasniqit në fshatin Çabiq.
Fillimin e punimeve nga afër e ka përcjellur edhe Kryetari i Komunës, prof. dr. Zenun Elezaj me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast, Kryetari Elezaj duke uruar babain e Komandant Mujë Krasniqit, bacën Halil, bashkëvendësit dhe të pranishmit, theksoi se fillimi i këtij projekt rikonfirmon përkushtimin tonë institucional e kombëtar, se ata që sakrifikuan çdo gjë që ne sot të gëzojmë lirinë, duhet të i nderojmë dhe kujtojmë me krenari dhe se kulla e Mujë Krasniqit tani do të jetë e gatshme denjësisht të bëj hapjen e festivalit folklorik, “I Këndojmë Lirisë”, që organizohet në nderim të veprës së tij, dhe të pres mysafirë nga mbarë trojet shqiptare.

Në këtë projekt përfshihet pastrimi i terrenit, largimi i shkurreve dhe i mbeturinave, instalimi elektrik, punimi i skenës, vendosja e kubëzave dhe e gurëve, punimi i shtratit të përmendores ekzistuese me formën e tanishme, rregullimi me gur dekorues i pusit, vendosja e rrethojës, vendosja e fidanëve, mbjellja e barit dhe punë të tjera të përcaktuara me kontratë.

Vlera totale e projektit është 44.713.74 euro, ndërsa afati i fundit i përfundimit të projektit 30.05.2019.