Republika e Kosoves

Klinë

IU DHA LAMTUMIRA E FUNDIT GAZETARIT DHE ZYRTARIT PËR INFORMIM AGRON GASHI

2018/04/02 - 4:50

Në varrezat e fshatit Sferkë të Komunës së Klinës, me nderime u varros gazetari shumëvjeçar dhe zyrtari për informim i Komunës së Klinës, Agon Gashi.

 

Me këtë rast në ceremoninë mortore  para shumë qytetarëve dhe personaliteteve të larta, kryetari i Komunës së Klinës, prof. Dr. Zenun Elezaj, tha se po ndahem nga Agron Gashi, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i shtrenjtë, i cili na ka shkaktuar një zbrazëti të pakompensueshme.  “ Vdekja e mori Agronin në moshë të re, atëherë kur ai synonte të jepte gjithçka nga vetja për gazetarinë dhe informimin në Kosovë dhe Komunën e Klinës, duke pasqyruar në mënyrë objektive rrjedhat e angazhimeve tona për përpjekjet për një Klinë me një imazh modern dhe të europianizuar. Nuk mund të të themi lamtumirë asnjëri prej nesh, asnjëri nga të dashurit tu, nuk kemi lamtumirë për ty.  Meqenëse me ty më ra shkurt  të punojmë dhe të bashkëpunojmë bashkë, megjithatë edhe përkundër kësaj kohe të shkurtër, krijova bindjet më pozitive, edhe si punëtor, koleg, por edhe si karakter njerëzor. Ishe i dashur, harmonik  në çdo kohë me mua dhe kolegët e punës, të cilët i ndihmoje kurdo që ata kishin nevojë. Ishe mjaft energjik në punë, por edhe i çiltër. Gjatë gjithë jetës u angazhove  për të bërë lajme për gazetë dhe më në fund  u shndërrove vetë në lajm.  Lajmi për shuarjen tënde na plagosi rëndë zemrat tona. Pranë teje ishte vetëm dashuria për jetën dhe miqësia për Njeriun.  Zëri yt dëgjohet kumbueshëm  si një kambanë tingëlluese. Mungesa jote do të na përcjell në çdo hap të jetës sonë.  Njerëz si ti, fort i dashuri Agron nuk vdesin kurrë sall  shndërrohen në një trajtë tjetër, në trajtën e përjetësisë”, pohuar kryetari Elezaj.

Ndërkaq, në emër të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, foli  nënkryetari i kësaj organizate,  Xhavit Dauti, i cili theksoi kontributin e Gashit në luftën e fundit të UÇK-së. “Agroni Gashi ishte një luftëtar i denjë i UÇK-së për lirinë e Kosovës. “Sakrifica e tij dhe gjaku i dëshmorëve të kombit u bënë gurtheve i pavarësisë së Kosovës”.

Duke folur për kontributin që i dha gazetarisë në Klinë dhe përgjithësisht në Kosovë, si korrespondent i gazetës “Koha ditore”, dhe së fundmi si zyrtar i  Zyrës për Informim në Komunën e Klinës, në emër të gazetarëve klinas, gazetari  Enver Maloku theksoi se vdekja e papritur dhe e parakohshme e shokut dhe kolegut Agron Gashi, na tronditi shpirtërisht dhe emocionalisht, sepse me të kolegët – gazetarë kaluan dhe vepruan së bashku rreth dy dekada në profesionin e gazetarisë, të cilin aq me pasion e deshi Gashi, një profesion sa tërheqës e të dashur, po aq edhe të hidhur dhe sfidues, të cilave Gashi me sukses i përballoi. “Pos kontributit të dhënë në luftën e UÇK-së për çlirimin e vendit, Gashi, pas luftës si korrespondent tregoi guxim, paanshmëri, objektivitet dhe korrektësi  e profesionalizëm, duke i dhënë gazetarisë vlera shumëdimensional, veçmas në raportet nga terreni, aty ku vlon dhe zhvillohet tjera. Një kontribut të veçantë, Agron Gashi, në fushën e gazetarisë me shkrimet e tij ka dhënë edhe në gazetën e Festivalit “I këndojmë lirisë”, në të cilën ishte i angazhuar që nga nxjerra e numrit të parë të kësaj gazete.  Emri i Agron Gashit, në memorien tonë dot të mbetet si shok, mik dhe koleg i mrekullueshëm, e përherë i buzëqeshur ashtu siç ishte në jetë. Ikja e Agroni na ka shkaktuar një zbrazëti të pakompensueshme dhe na ka varfëruar të gjithëve”, tha ndër të tjera gazetari Maloku. Për jetën dhe veprën e Agron Gashit dhe kontributin  tij dhënë në fushën e arsimit, ku si mësimdhënës i dalluar Agroni punoi disa vjet në shkollën e vendlindjes, në Sferkë, foli bashkëfshatari, njëherësh edhe drejtori i shkollës, Rushit Gashi.

Në fund të ceremonisë mbi varrin e gazetarit Agron Gashi u vunë kurora dhe buqeta lulesh.