Republika e Kosoves

Klinë

KFOR I DHURON MOBILIE DHE AKSESORË QENDRËS SË KULTURËS RINORE QË GJENDET NË FSHATIN VIDEJË

2024/08/28 - 12:59

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me përfaqësuesen e Zyrës për Komunitete, Silvija Raskoviq, kanë pritur në vizitë, në fshatin Videjë, komandantin e Komandës Rajonale të KFOR-it Perëndim, kolonel Rocco Mundo, i cili me personelin e tij i kanë dhuruar mobilie dhe aksesorë Qendrës së Kulturës Rinore që gjendet në fshatin Videjë.
Në këtë ceremoni për pranim-dorëzimin e këtij donacioni, kryetari Elezaj theksoi se angazhimi i KFOR-it në mbështetjen e institucioneve lokale mbetet thelbësor dhe e ka cilësuar këtë ndihmë si një hap të rëndësishëm për raporte të qëndrueshme e reciproke mes Komunës dhe KFOR-it. Ai, gjithashtu, i falënderoi dhe shprehu mirënjohje për gjithë kontributin e tyre të deritanishëm.
Njëjtë është shprehur edhe kolonel Mundo lidhur me qëndrimet ndaj Komunës së Klinës dhe potencoi faktin që ndihma të tilla në të mirë të komunitetit do të vazhdojnë dhe shumë shpejt priten donacione të tjera.