Republika e Kosoves

Klinë

Klina shënon 11 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

2019/02/17 - 2:32

Komuna e Klinës, sot  është duke mbajtur aktivitetet e parapara, përmes të cilave në mënyrën më solemne e shënon 11 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Aktivitetet e sotme kanë filluar para objektit të Komunës, me ngritjen e flamujve dhe interpretimin e Himnit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Në vazhdën e agjendës së shënimit të kësaj dite festive, është  vazhduar me homazhet dhe nderimet pranë shtatores së komandantit legjendar Mujë Krasniqi, po ashtu   edhe në kompleksin memorial tek “Kodra e Kuqe” në fshatin  Grabanicë.

Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, iu priu këtyre aktiviteteve, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit, Fadil Gashi, Nënkryetari i Komunës, Besim Hoti, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të Organizatave të dala nga Lufta e uÇK-së familje të dëshmorëve dhe të të pahjeturve, përfaqësues të policisë së Kosovë e qytetarë të shumtë të Klinës etj.

Me këtë rast, në sallën e Kuvendit të Komunës, është mbajtur  seanca solemne e Kuvendit Komunal, ku fjalime kanë mbajtur, Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kryesuesi i kuvendit Fadil Gashi dhe në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-ës, Binak Gashi.

N137 fjalën e tij, kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, theksoi se sot, shënojmë këtë ngjarje më kulmore në rrugën historike të Republikës së Kosovës – Pavarësinë e saj, ndihemi shumë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm ndaj historisë, ndaj asaj sakrifice mbinjerëzore të gjeneratave, ndaj gjithë atij gjaku dhe gjithë asaj lufte nëpër shekuj deri te lufta më sublime dhe më e lavdishme e UÇK-së, luftë kjo që i ndryshoi rrjedhat  historike dhe epokën e këtij vendi.   “Historia dhe liria e shtetit tonë na obligon të vlerësojmë dhe të ngremë në piedestalin më të lartë veprën sublime të dëshmorëve e heronjve tanë,  të kemi respekt për plagët e luftëtarëve tanë, për të pagjeturit dhe për të gjithë ata që vunë kontributin e tyre në themelin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës. 17 Shkurti i vitit 2008, përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e Kosovës si shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe i orientuar në mënyrë të palëkundur drejt rrugëtimit të tij të qartë euro-atlantik. Kjo datë do të mbetet e gdhendur dhe e skalitur përgjithmonë në memorien e këtij brezi që pati fatin ta përjetojë këtë kohë, por edhe gjithë  atyre brezave q që do të vijnë pas nesh, si një pikë kulmore dhe referencë e këtij rrugëtimi të këtij populli deri me ditën e sotme. Në këtë solemnitet  shprehim nderin dhe respektin tonë më të madh për ish presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili për shumë vjet me konceptin e tij politik dhe filozofik dhe vizionin e tij bëri që zëri i shqiptarëve të Kosovës të dëgjohej pothuajse në tërë globin mbi vuajtjet dhe torturat që diktatura serbe ushtronte mbi popullsinë  shqiptare të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Respekt dhe mirënjohje deri në pietet për të gjithë luftëtarët e UÇK-së, për komandantin historik të UÇK-së, Adem Jasharin, për  heroin e kombit, birin e këtij vendi, komandantin Mujë Krasniqi – Kapuçin, si dhe për të gjithë ata heronj, dëshmorë dhe martirë të kombit, që simbolizojnë këtë ditë të madhe, jeta dhe vepra e të cilëve reflekton dritë paqeje. Kjo ditë, po ashtu është një rast i mirë që të përkujtojmë dhe falënderojmë miqtë tanë, të cilët në ditët më të vështira na u gjendën pranë dhe na përkrahën në momentet më të rënda dhe historike për Kosovën,  të cilët edhe sot po e ndihmojnë zhvillimin dhe integrimin e shtetit tonë të pavarur, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe vendet e tjera të botës demokratike.  Ky përvjetor na rikthen kujtesën se si jetuam dje, si po jetojmë sot dhe na ndërgjegjëson  sesi duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë për brezat tanë.

Sot, me të drejtë shtrohet pyetja sesa po i përmbushim obligimet tona njerëzore e kombëtare që të ardhmen tonë dhe të brezave që vijnë pas nesh ta bëjmë më të mirë dhe të qëndrueshme. Cila është përgjegjësia dhe koherenca jonë për çështjet madhore të këtij vendi, për drejtimin e mirë të tij, për hapjen e dyerve në familjen evropiane.  Sa po bëjmë të gjithë ne në Klinë dhe kudo anekënd Republikës së  Kosovës që njerëzve t’ua bëjmë jetën më të mirë dhe sa më cilësor. Para vetes kemi pasur dhe kemi shumë sfida: ato të zhvillimit urban dhe hapësinor, të zhvillimit ekonomik, të infrastrukturës, të arsimit, shëndetësisë, sportit, të kulturës etj.

Ne i kemi dhënë vetes obligim që të angazhohemi dhe të punojmë që qytetarëve t’ua ngrehim mirëqenien e tyre. Kemi bërë disa punë të dobishme në shërbim të qytetarëve tanë; i kemi iniciuar disa projekte me rëndësi jetike për qytetin e Klinës dhe për gjithë lokalitetet e saj. Pra, janë në prioritete edhe shumë  projekte të tjera të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, që gjë shpresojmë  se  edhe  ato do të realizohen dhe  do t’ua bëjnë jetën më të mirë qytetarëve tanë. Të gjitha të arriturat që  i kemi realizuar, si dhe shumë të tjera që pritet të realizohen,  nuk duhet të na krijojnë ndonjë vetëkënaqësi, sepse janë edhe mbeten nevoja të tjera të shumta dhe të nevojshme për mirëqenien e qytetarëve, të cilat duhet t’i realizojmë në të ardhmen.  Jemi të përkushtuar që vepra e pavarësisë t’u shërbejë të gjithë atyre që e ndërtuan dhe gjithë atyre që presin t’ua ndryshojë jetën. Shpresoj se jo vetëm ky, por edhe përvjetorët e tjerë të shënimit të pavarësisë së vendit, do të na shërbejnë për të treguar rezultate edhe më të fuqishme, si në realizimin e projekteve, ashtu edhe në forcimin e demokracisë në të gjithë vendin. Duhet përsëritur edhe një herë se e gjithë kjo që po bëhet është rezultat i një vepre madhore, të pavarësisë së Republikës së Kosovës. E përgjithmonshme qoftë Republika e Kosovës! Lavdi të gjithë atyre që jetën e dhanë për këtë Ditë që po e shënojmë sot!”- ka konstatuar ndër të tjera kryetari Elezaj.

Ndërkaq në orët e pasdites së sotme, në shenjë të këtij përvjetori të pavarësisë së Kosovës, janë zhvilluar edhe aktivitetet të tjera kulturo-artistike, po ashtu edhe sportive.