Republika e Kosoves

Klinë

KRYETARI ELEZAJ: DËSHMORI I KOMBIT ARBEN HALITI ISHTE DHE DO TË MBETET NDERI DHE KRENARIA E KOMBIT

2018/05/21 - 5:41

Në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, me epitetin më të lartë u shënua  20-vjetori i rënies në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit,  Arben Haliti, i cili jetën e tij e dha për lirinë e Kosovës.

Në këtë homazh përkujtimor morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezi, nënkryetari Besim Hoti, familjarë të familjes së dëshmorit Arben Haliti, familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, përfaqësues të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përkatësisht kryetari i i kësaj organizate, Hysni Gucati, babai i heroit të kombit, Mujë Krasniqi, Halil Krasniqi, Jetull Geci, komandant i i brigadës 112, Hysni Shabani, komandant i brigadës 113, Xhevahi Gexi, komandant i UÇK-së, Xhavit Jashari, kryetar i familjeve të dëshmorëve të kombit, përfaqësues të FSK-së, të policisë së  Kosovës, qytetarë të Komunës së Klinës dhe të mjediseve të tjera të Dukagjinit dhe të Kosovës, etj., të cilin i dhanë nderimin dhe respektin këtij dëshmori të kombit, për veprën heroike që ka bërë 20 vjet më parë, duke mbetur shembull idealizmi dhe atdhetarizmi në shërbim të kombit dhe atdheut të tij.

Me këtë rast, duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, marrë për bazë kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së, më 7 mars 2017, presidenti Thaçi dëshmorin e kombit Arben Halitin  e ka dekoruar me urdhrin “HERO I KOSOVËS”, vlerësim ky që i jepet sot në jubileun e tij të 20-vjetorit  të rënies së tij.

Në fjalën e tij të rasti, Prof. Dr. Zenun Elezaj, duke u shprehur për shëmbëlltyrën e heroit të kombit, Arben Haliti , theksoi se  dëshmori i  kombit Arben Haliti.

Arben Haliti, ky dëshmor lirie, sot mbush njëzet vjet nga rënia e tij heroike për të mbetur emër i pashuar në piedestalin e historiografisë sonë  shqiptare, për të mbetur aureolë e përjetësisë ndër mote e shekuj. “Vdekja për atdhe është një vdekje e bukur; është një e bukur e dhimbshme, mirëpo edhe krenare. Bijat dhe bijtë tanë më të shtrenjtë, të cilët bënë këtë akt kaq të madhërishëm, nuk i munguan asnjëherë kësaj toke. Jeta e Arbenit ishte e bujshme, plot mundime, ëndrra, dëshira, por edhe realizime. E realizoj ëndrrën e tij më sublime lirinë e vendit të tij, lirinë e atdheut të tij. Shpirti i Arben Halitit ishte një shpirt  atdhetari që nuk pushoi asnjëherë së kërkuari  lirinë, derisa erdhi bashkë me shkëlqesinë e vet. Arbeni gjatë 22 viteve të jetës së tij ishte në shërbim të Atdheut, në shërbim të Njeriut të truallit të tij dhe në çdo kohë ishte i gatshëm  të sakrifikohej kur kërkohej një sakrificë e tillë. Këtë ai e dëshmoi në çdo kohë”, ka shtuar kryetari Elezai, i cili në vijim është shprehur se Arbeni dhe gjithë bashkidealistët e tij  besonin  fort në fitore, por Arbeni ishte i vetëdijshëm se pa sakrifica  të mëdha  nuk ka fitore të mëdha, sepse kjo njëherësh ishte  edhe maksima  e tij e punës dhe jetës së tij. Dëshmori i kombit Arben Haliti ishte dhe do të mbetet nderi dhe krenaria e kombit. Ishte shembull i atdhetarit ideal që shërbeu për brezat e tashëm dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Pra, për ndërtimin e themeleve të pavarësisë së Kosovës, përveç gjakut të shumë dëshmorëve të kombit, këto themele u murosën edhe me gjakun e Arbenit , ka vlerësuar kryetari Elezaj, i cili na vazhdim ka theksuar se liria na jep ngushëllimin për të ecur rrugës së dëshmorëve, për ta bërë Kosovën të bukur, ashtu siç deshën ata. Më tej, kryetari Elezaj ka thënë se moto e veprimtarisë së Arbenit dhe e gjithë dëshmorëve të tjerëve që dhanë gjakun për këtë ditë, ishte po ky ideal. “Pra, qëllimi jetësor i këtij dëshmori të lirisë ishte liria dhe flijimi për atdhe. Këtu Arbeni krijoi imazhin e portretit të NJERIUT që me aktin e flijimit për lirinë e Kosovës sublimoi dhe e bëri më madhështor qëllimin jetësor të tij.

Emri i Arbenit  u shënua më shkronja  të arta; DËSHMOR I ATDHEUT, i cili do të mbetet përherë  si kujtim dhe krenari brezash. Idealet dhe sakrifica e tij  sublime do të  shërbejnë  si  frymëzim dhe udhërrëfyese  në kaptime  të gjata për realizimin e idealeve të mëdha. Arben Haliti, njeriu, atdhetari dhe luftëtari i lirisë, nga dora gjakatare serbe u vra pikërisht në ditën e sotme njëzet vjet më parë, në stacionin famëkeq të policisë serbe,  që gjendej mu aty ku sot lartësohet në bronz busti i Arbenit, për të kujtuar atë ditë të dhembjes, por edhe të krenarisë kombëtare; për t’i përkujtuar ato kohë të trishta me esencat e saja tragjike  për popullin tij, i cili ishte i palëkundshëm në rrugën që i kishte dhënë obligim vetes deri te liria e Kosovës. Rënia heroike e këtij dëshmori lirie, ishte një sublimim  madhështor, që i dha epitetin e  dëshmorit, epitet që e bën të pavdekshëm, të paharruar dhe të nderuar  përgjithmonë nga ne  dhe nga brezat që do të vijnë”, ka konstatuar ndër të tjera në fjalën e tij kryetari Elezaj. …