Republika e Kosoves

Klinë

Kryetari Elezaj: Dëshmori i kombit,  Muhamet Haxhaj, ishte ndër shumë djem të Kosovës që ra për lirinë e tokës së tij

2018/07/03 - 3:36

Në nderim të 20- vjetorit të rënies  heroike të dëshmorit të Kombit Muhamet Haxhaj – “Naimi”, në Qendrën Dulturore “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë, u mbajt Akademi përkujtimore duke iu përulur heroizmit dhe sakrificës së këtij dëshmori të kombit, i cili jetën e tij e dha për lirinë e Kosovës.

Në këtë homazh jubilar, morën  pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj  dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit  lokal, familja e dëshmorit të kombit Muhamet Haxhaj dhe familjet e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, përfaqësues të organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, qytetarë të Klinës dhe jashtë etj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, duke iu drejtua të pranishmëve theksoi se dëshmori i kombit, Muhamet Haxhaj, ishte ndër shumë djem të Kosovës që ra për lirinë e tokës së tij. “Trimat si ky dëshmor, të cilët bien në fushë të nderit, pas vetes lënë gjurmët, lënë emrin, lënë vargje, këngën dhe dashurinë e pashuar që valëvitet nëpër kujtime brezash.  Ata nuk vdesin kurrë, vetëm shndërrohen në një trajtë tjetër, në trajtën e përjetësisë së pafund.

Dëshmori i kombit Muhamet Haxhaj, ishte udhërrëfyes i çështjeve kombëtare. Ndryshonte nga të tjerët, ngase ishte simbol i moralit të lartë. Virtytet e tij të larta e morale stolisin shpirtin e tij. Ai shpërndante të gjitha virtytet dhe vlerat e larta morale, ndërsa i urrente dhe i gjykonte vetitë dhe dukuritë negative e jonjerëzore. Ndër vetitë kryesore të Muhametit ishin: sinqeriteti, vendosmëria, bujaria, trimëria, pathyeshmëria, modestia, besnikëria etj”, pohoi kryetari Elezaj, i cili në vijim theksoi se Muhameti ishte i vendosur dhe i pakompromis në zbatimin e misionit të tij kombëtar. “Ai sfidoi errësirën kohore me durim e dinjitet të lartë njerëzor, duke mos e humbur asnjëherë shpresën për ngadhënjimin përfundimtar të çështjes shqiptare dhe të mirëqenies mbarënjerëzore në përgjithësi.

I lindur e i rritur në Qëndresën e rezistencës kombëtare, në  Qëndresën e  luftërave të përgjakshme për liri e pavarësi, në Qëndresën e  burrave me zë, të pushkës e të mendjes, të trimave historikë e legjendarë, të këngës e poezisë, ai qysh në rini ishte ushqyer me substancën e shpirtit të kombit të tij. Personalitetin e tij prej një atdhetari dhe patrioti të devotshëm më vonë e çelikosi me idealet e burrave tanë historikë, besnikë të gjakut të derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, besnikë të  mesazheve të mëdha dhe të çmueshme të  etërve të kombit tonë, të rilindësve tanë, mesazhet e të cilëve i shërbyen si udhërrëfim. Liria na jep ngushëllimin për të ecur rrugës së dëshmorëve, për ta bërë Kosovën të bukur, ashtu siç deshën ata. Moto e veprimtarisë së Muhametit dhe gjithë të tjerëve që dhanë gjakun për këtë ditë, ishte po ky ideal. Pra, qëllimi jetësor i këtij dëshmori të lirisë ishte liria dhe therorizimi për atdhe. Këtu krijoi imazhin e portretit të njeriut që me aktin e flijimit për lirinë e Kosovës sublimoi dhe e bëri më madhështor qëllimin jetësor të tij. Kjo vepër madhështore e bën emrin e tij të mos vdes kurrë. Ditëlindja e tij dhe dita e rënies janë data historike për kombin tonë.

Gjithë jetën dëshmori i lirisë Muhamet Haxhaj ia kushtoi çështjes kombëtare. Emri dhe veprimtaria e tij po kujtohen dhe do të kujtohen me respekt nga brezat që pasojnë, sepse të ardhmen e ndritur ua trasoi gjaku i këtij dëshmori dhe i gjithë dëshmorëve të tjerë”, ka konstatuar ndër të tjera kryetari Elezaj. .

Fjalime dhe fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK në qendër, Zeqir Morina,  Agim Pantina, familjarë etj.

Muhamet Haxhaj – Naimi lindi më 14.8.1960 në fashtin Gllarevë, ishte ushtarë i Bridagdës 113 “Mujë Krasniqi”, njësitit “Granit”, i cili ka rënë heroikisht me 3 korrik të vitit 1998-të në fshatin Dollc, tek Kulla e Qendresës. Njihej për trimëri dhe gjaku i tij e ka nderuar kombin.