Republika e Kosoves

Klinë

KRYETARI ELEZAJ MBAJTI TAKIM PUBLIK ME QYTETARË

2022/06/28 - 10:14

Kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot në sallën e kuvendit të komunës ka mbajtur takimin e parë publik me qytetarët e Klinës.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe drejtorët e drejtorive, është diskutuar për rrjedhat e qeverisjes në gjashtëmujorin e parë, të arriturat, vështirësitë dhe synimet e qeverisjes komunale për këtë vit.

Kryetari Elezaj në fjalën e tij theksoi se gjatë këtij viti me përkushtim të madh kemi punuar që t’i përmbushim kërkesat e qytetarëve, duke përmendur projektet të cilat janë në realizim dhe vështirësitë e paraqitura në implementimin e disa projekteve.

“Gjatë këtij viti me përkushtim të madh kemi punuar që t`i përmbushim kërkesat e qytetarëve në realizimin e projekteve të nevojshme. Kemi planifikuar e përgatitur projekte në secilën fushë, por që sfidë më të madhe e kemi pasur ngritjen e çmimeve, për çka jemi detyruar t`i bëjmë disa planifikime të reja.
Pavarësisht që vazhdimisht po punohet në përmbushjen e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, është thuajse e pamundur përmbushja e tërësishme e tyre, por angazhimi i qeverisjes time do të jetë i vazhdueshëm me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe sigurimit të një jetese më të mirë për të gjithë.”

Në anën tjetër qytetarët kanë shprehur vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e tyre para kryetarit dhe drejtorëve të komunës. Ndër kërkesat kryesore të tyre ishin investimet për sigurimin e ujit të pijshëm, investime në rrugë, kanalizime, mirëmbajtja e hapësirave publike, etj.