Republika e Kosoves

Klinë

KRYETARI ELEZAJ PRITI NË TAKIM PËRFAQËSUESIT E ORGANIZATËS “BALKAN GREEN FOUNDATION”

2022/04/22 - 8:22

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, z. Qëndrim Millaku, kanë pritur në takim znj. Françeska Renzi, task menagjere për projektin “Green Cross” në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe përfaqësuesit e organizatës “Balkan Green Foundation”.

Gjatë këtij takimi është diskutuar mbi të arriturat e projektit për investimet e para inteligjente, me vendosjen paneleve solare në disa objekte institucionale dhe shkollore në Klinë.

Gjithashtu është biseduar për inicimin e bashkëpunimit të ngushtë me Komunën e Klinës dhe Komunën e Hasit në Shqipëri, drejt synimit të arritjes së rritjes së qëndrueshme ekonomike në rajonin ndërkufitar dhe tranzicionit të komunave në një ekonomi të qëndrueshme të gjelbër.

Znj. Renzi së bashku me përfaqësuesit e organizatës “Balkan Green Foundation”, pas takimit me kryetarin Elezaj, kanë vazhduar me vizita monitoruese dhe vëzhgimin e rezultateve të projektit, duke filluar nga prodhimi i energjisë diellore në objektin e Komunës së Klinës dhe panelet diellore të vendosura në Qendrën për Punë dhe Shërbime Sociale të Klinës dhe në Shkollën Fillore ‘Ismet Rraci’.