Republika e Kosoves

Klinë

KRYETARI ELEZAJ U PREMTOI BANORËVE TË UJMIRIT SE PUSHTETI LOKAL DO TË JETË NË SHËRBIM TË KËRKESAVE TË TYRE

2018/04/20 - 8:15

Me qëllim të njohjes me problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit Ujmir të Komunës së Klinës, njëri nga fshatrat më të mëdha të kësaj komune, kryetari i Komunës Zenun  Elezaj sot ka pasur një takim me këta banorë nga të cilët ka mësuar për preokupimet dhe prioritetet që  kanë këta banorë.

Nga bisedat që kryetari Elezaj i zhvilloi me banorët e lagjeve  Shala, Millakëve etj., u prezantuan problemet dhe preokupimet që kanë këta banorë, sidomos në fushën e infrastrukturës, rrugore, kanalizimit, ujë të pijshëm, mungesën e kapaciteteve të duhura të rrymës elektrike dhe të tjera.

Në lagjen e Millakëve dhe Mustafëve banorët prezantuan nevojën e rregullimit të urës, që është një nevojë e kahershme dhe tepër imediate.

“Ne po takojmë qytetarët nga shumë lokalitete dhe jemi të interesuar që të marrim mendimin e secilit prej jush për të diskutuar hallet e problemet tuaja. Angazhimi ynë do të jetë në favor të zgjidhjes së këtyre nevojave, prandaj do të jetë më lehtë nëse bashkëpunojmë  sa më mirë deri në arritjen e rezultateve sa më të mira”, u ka thënë kryetari Elezaj banorëve të fshatit Ujmirë.

Kryetari Elezaj me këtë rast u zotua se do të angazhohet për zgjedhjen e këtyre nevojave dhe do të jetë në shërbim të secilës kërkesë që kanë banorët e Ujmirit.