Republika e Kosoves

Klinë

KRYETARI ELEZAJ VIZITOI DISA FSHATRA TË KËSAJ KOMUNE

2018/04/11 - 10:33

Kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga nënkryetari i kësaj komune, z. Besim Hoti dhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, z. Ibër Elezaj, vizituan fshatrat Grabanicë, Bokshiq, Dollovë, Këpuz . Qëllimi i kësaj vizite ishte që t’i përcjellin nga afër punimet përkatësisht rregullimin e rrugëve lokale me zhavor të këtyre fshatrave.
Z. Elezaj ka biseduar me banorët e këtyre fshatrave , ku ka dëgjuar shqetësimet dhe preokupimet e tyre, me të cilat përballet ai komunitet në ato lokalitete të kësaj komune.
Fillimisht vizituan fshatin Grabanicë, fshat i cili përpos rrugës së paasfaltuar në gjatësi prej 715 metra, mungon edhe një pjesë e kanalit të ujitjes, në gjatësi prej 200 metra. Vizita ka vazhduar në fshatin Bokshiq, në lagjen e Muhaxhirëve dhe lagjen Gryka, me ç ‘rast është duke u punuar shtrimi i rrugës me zhavor me gjatësi prej 2.200 metra, që lidhet me fshatin Dugajevë. Është biseduar me banoret e kësaj zone, të cilët kanë kërkuar edhe rregullimin e kanalizimit dhe asfaltimin e rrugëve . Po të njëjtën kërkesë e kanë edhe banoret e fshatit Dollovë dhe Këpuz, të cilëve ju është premtuar asfaltimi i rrugë si dhe rregullimi i kanalizimit me gjatësi prej 4.8 km.
Pushteti aktual është i përkushtuar që të angazhohet në ngritjen e mirëqenies, përkatësisht në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të kësaj komune.