Republika e Kosoves

Klinë

MBAHET SEANCË SOLEMNE E KUVENDIT KOMUNAL PËR NDER TË DITËS SË ÇLIRIMIT TË KLINËS

2022/06/20 - 8:07

Me rastin e shënimit të 18 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Klinës, në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës është mbajtur seancë solemne.
Në këtë seancë morën pjesë, kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Mixha Halil Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, nënkryetarja, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, familjarë të dëshmorëve, familjarë të të zhdukurve, përfaqësues të klerit fetarë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, komandanti i policisë, rajonit në Klinë, z. Ragip Bytyqi, drejtorë të drejtorive, këshilltarë komunalë, media e qytetarë.
Seancën solemne me një fjalë rasti e hapi kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi, i cili çmoi lartë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilët nuk do të gëzonin lirinë sot dhe me falënderimin më të sinqertë dhe përulje i nderoi familjarët e atyre që dhanë më të shtrenjtit për këtë ditë.
“Të mos e harrojmë kurrë sakrificën e tyre!”, – ka thënë në fund kryesuesi Gashi.
Ndërsa, kryetari Elezaj, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi:
“Klina sot me plot krenari po shënon festën më të bukur të rrugës historike të saj, 18 – Qershorin – Ditën e Çlirimit. Kjo ditë e shënuar është ditë e madhe dhe e bekuar për popullin e Klinës. 23 vite më parë neve na është kthyer shpresa për fillimin e një epoke të re të cilën ky popull nuk e kishte përjetuar më parë, mirëpo përpjekjet për të mbërritur deri këtu ishin të hershme sa edhe vetë përpjekjet e këtij populli.
18 Qershori i vitit 1999 ka hapur shtigje të reja të jetës sonë, në arritjen e vlerave të lirisë e demokracisë. Këto shtigje na obligojnë që t’i lartësojmë dëshmorët e kombit, sepse janë fryt i flijimit të tyre. Prandaj, për të arritur drejt zhvillimit dhe përparimit të Klinës dhe të Kosovës sonë të dashur, mund të arrijmë vetëm bashkërisht.
Shëndet dhe mbarësi në jetën Tuaj!
Të rënëve paqe në Dheun e Lirë të Kosovës,
Brezave të ardhshëm jetë të begatshme në lirinë e Kosovës!
Urime 18 Qershorin– Ditën e Çlirimit të Klinës!”- ka thënë në fund Elezaj.
Me një fjalë rasti, në emër të tri organizatave të dala nga lufta, para Kuvendit foli edhe Bahtije Haliti – Gashi.
Aktivitetet për shënimin e Ditës së çlirimit do të vazhdojnë me homazhe, turne në sportin e shahut, në futboll të vogël, si dhe përmbyllen me program artistik para objektit të Komunës.