Republika e Kosoves

Klinë

Më nderime dhe homazhe, sot u shënua 18 Qershori, Dita e Çlirimit të Klinës

2018/06/18 - 6:03

Nën patronatin e Komunës së Klinës, më nderime dhe homazhe, është shënuar sot 18 Qershori, Dita e Çlirimit të Klinës. Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me zyrtarë të qeverisjes lokale, asambleistë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, ka bërë homazhe pranë bustit të dëshmorit “Mujë Krasniqi” dhe të varrezat e dëshmorëve te kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit”, te Kodra e Kuqe në Grabanicë.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, mbajti një fjalë rasti gjatë seancës solemne të Kuvendit Komunal, i cili e vlerësoi lart sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e dhënë nga luftëtarët e lirisë për lirinë e Klinës dhe mbarë Kosovës.

“Klina sot, me plot krenari, po e shënon festën më të bukur të rrugës historike të saj, 18 Qershorin, Ditën e Çlirimit. Kjo ditë e shënuar është ditë e madhe dhe e bekuar për popullin e Klinës. 19 vjet më parë, këtij populli të shumëvuajtur iu hoqën prangat e robërisë dhe mbi qiellin e tij agoi drita e lirisë, ëndërr e shumë shekujve të brezave tanë.

Kjo ditë është një ndër më kulmoret në historinë e Komunës së Klinës dhe të Kosovës. Pas gjithë atyre vuajtjeve, privimeve e sakrificave, 19 vjet më parë, neve na u kthye shpresa për fillimin e një epoke të re, të cilën ky popull nuk e kishte përjetuar më parë, mirëpo përpjekjet për të mbërritur deri këtu ishin të hershme sa edhe vetë përpjekjet e këtij populli.

Tashmë, pas shumë përpjekjesh, luftës çlirimtare, të mbështetur dhe përkrahur edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kryesisht nga SHBA-ja, Evropa dhe bota e qytetëruar, u bëmë qytetarë të lirë, të një vendi të porsaçliruar. Për ne filloi një kapitull i ri, kapitulli i kthimit të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.

Populli i Klinës, sikurse i tërë Kosovës, si gjithherë gjatë historisë, edhe në luftën e fundit në Kosovë, dha kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Kjo komunë, sikurse pjesë të tjera të këtij vendi, e pagoi shumë shtrenjtë këtë liri të çmuar dhe të larë me gjakun e më të dashurve, me një numër të madh të të vrarëve, të plagosurve dhe të zhdukurve, që për Klinën janë plagë që  akoma rënkojnë, për fatin e të cilëve akoma familjet e tyre dhe i gjithë qyteti i Klinës dhe Kosova përgjithësisht nuk kanë njohuri, edhe pse mjaft është punuar dhe akoma po punohet në përpjekje për ta ndriçuar fatin e tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë ditë, të gjithë ata që janë dëshmitarë të kohës, të gjithë ata që e përjetuan 19 vjet më parë Ditën e Çlirimit të Klinës, duhet të ndihen krenarë, duhet të tregojnë respekt dhe mbi të gjitha duhet të marrin mbi vete tërë atë angazhim në përgjithësi që kanë ndaj atyre që këtë vend e bënë me nam, me nder dhe të lirë. Heronjtë dhe dëshmorët e kombit, si Adem Jashari, Mujë Krasniqi dhe shumë e shumë të tjerë, kontributi, sakrifica dhe gjaku i të cilëve është gurthemeli dhe vula e lirisë dhe e pavarësisë së këtij vendi.

Për këtë ditë të shenjtë, të lirisë së Kosovës, familjet e dëshmorëve sakrifikuan bijtë e tyre për t’i njomur themelet e shtetit të Kosovës me gjakun e tyre. Duhet t’i respektojmë e nderojmë edhe veteranët e luftës, që rastësia ka dashur që ata janë gjallë dhe t’i gëzojnë rrezet e lirisë.

Klinas të dashur,

Dita e 18 Qershorit është një ditë për të reflektuar për të kaluarën, për të sotmen dhe për të ardhmen dhe se brezi ynë, fëmijët, të rinjtë e të rejat, burrat e gratë e Klinës e të Kosovës duhet të jenë të lumtur që jetojnë një kohë kur mund të shfaqin lirisht mundësitë dhe aftësitë krijuese për ndërtimin e jetës, mirëqenies dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre. E ardhmja e ndritur e këtyre brezave ka ndodhur mu nga ajo ditë, kur liria e shumëpritur mbërriti në këto hapësira të këtij vendi.

Miq të dashur,

Kjo ditë e bukur, edhe pse akoma në një mëngjes kombëtar, ka ofruar mundësi të mëdha për ecje përpara dhe progres në të gjitha segmentet e jetës. Këtyre shtigjeve është duke ecur edhe Klina jonë e dashur. Megjithatë, edhe e kemi me borxh t’u gjendemi pranë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të Klinës. Në këtë drejtim nuk do të ndalemi asnjëherë edhe në të ardhmen, mirëpo me të gjitha kapacitetet tona do të jemi në shërbim të tyre dhe kërkesave të tyre, në shërbim të zhvillimit  dhe përparimit të Klinës dhe të vendit tonë përgjithësisht.

Prandaj, për të ngarendur drejt zhvillimit dhe përparimit të Klinës dhe të Kosovës sonë të dashur, mund të arrijmë vetëm bashkërisht,” ka thënë Kryetari Elezaj.

Në përmbyllje të këtyre aktiviteteve do të mbahet koncerti i organizuar për nder të Ditës së Çlirimit të Klinës.