Republika e Kosoves

Klinë

Mesazh urimi i Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, me rastin e Bajramit të Madh

2018/06/15 - 7:45

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, u ka dërguar një mesazh urimi të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të besimit islam me rastin e Festës së Bajramit të Madh.

Të dashur qytetarë e besimtarë të besimit islam,

Dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e Festës së Bajramit të Madh, duke ju dëshiruar shëndet, paqe,  harmoni dhe begati  të plotë në familjet tuaja.

Në këtë ditë feste, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata besimtarë të devotshëm e të urtë, të cilët me agjërim kanë kaluar një muaj nën ndjenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të dashurisë për njëri-tjetrin dhe për njerëzimin mbarë përgjithësisht.

Edhe sot, si gjithmonë, le të theksojmë fuqishëm falënderimin tonë të përhershëm për miqtë tanë, për miqtë e popullit tonë, nga gjithë bota demokratike, të cilët  na u gjenden pranë në kohën më të vështirë, në kohën e luftës sonë për liri e pavarësi dhe që po na ndihmojnë edhe sot në forcimin e vendit  tonë të pavarur e demokratik.

Po ashtu, nderim të veçantë shprehim edhe për të gjithë ata që shkrin vetveten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilët u sakrifikuan për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.

Kosova, sikurse edhe qyteti ynë Klina, kanë qenë dha janë një shembull i rrallë dhe unikal i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i harmonisë në mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare. Le të punojmë së bashku që ky mozaik i shkëlqyeshëm  ndërkonfesionale  që na ka dhuruar Zoti të mbetet i tillë përherë. 

Paqja dhe dashuria mbizotërofshin në familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Klinën, Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!