Republika e Kosoves

Klinë

MIRATOHET BUXHETI I KOMUNËS SË KLINËS NË VLERË 16.168,653, RRETH 1.5 MILION EURO MË SHUMË SE BUXHETI I KËTIJ VITI

2024/09/20 - 2:01

Kuvendi i komunës së Klinës sot ka mbajtur seancën e rregullt të punës, ku kanë marrë pjesë kryetari i komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, kryesuesi i kuvendit, Fadil Gashi, nënkryetarja e komunës, Marqe Selmanaj, drejtorë të drejtorive e anëtarë të kuvendit.
Në këtë seancë janë shqyrtuar 17 pika të rëndit të ditës. Me shumicë votash është miratuar buxheti i komunës për vitin 2025 në vlerë 16.168,653.
Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, ka thënë se ky është një buxhet gjithëpërfshirës, ku kemi planifikuar investime në pjesën më të madhe të fshatrave e lokaliteteve dhe në dikastere të ndryshme.
Ai theksoi se me kujdes të madh është dëgjuar zëri i qytetarëve e janë përfshirë kërkesat e tyre dhe shtoi se në vitin e ardhshëm komuna e Klinës do ta vazhdojë punën e investimeve në fusha të ndryshme, si në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe fshatra, investime në arsim e shëndetësi, në bujqësi për ndërtimin e kanaleve të ujitjes e rritjen e subvencioneve, ndërtimin e parqeve, trotuareve, shtrirje të rrjetit të ndriçimit publik dhe projekte të tjera në dobi të qytetarëve.
Po ashtu, me propozim të ekzekutivit, kuvendi mori vendim për rritjen e numrit të përfituesve të bursave komunale për studentë, nga 60 sa ka qenë në 80 përfitues.
Me propozim të grupit kuvendar të AAK-së, shefit të grupit Valmir Bacaj, dhe me mbështetjen e kryetarit Elezaj është arritur pajtimi në parim për rritjen e subvencioneve për lindje dhe vdekje. Vendimi për këtë do të merret në muajit në vijim e do të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm.
Kuvendit me shumicën e votave miratoi edhe pikat e tjera të rëndit të ditës.