Republika e Kosoves

Klinë

Në Klinë shënohet Dita Botërore e Autizmit

2021/04/07 - 2:40

Me disa aktivitete sot në Klinë është shënuar Dita Botërore e Autizmit, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për autizmin.
Fillimisht kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, së bashkë me drejtorin e Arsimit, z. Enver Gashin, kanë marrur pjesë në organizimin e mësimdhënësve të shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Rraci”, ku është diskutuar lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin dhe kushtet që kanë mësimdhënësit në këtë shkollë.
Po ashtu, në shënim të kësaj dite, Kryetari Elezaj, bashkë me drejtorin e SHMS, z. Shemsedin Berisha, kanë pritur në takim zyrtaren e lartë për demokratizim në zyrën rajonale të OSCE-së në Pejë, znj. Natalia Rosu, përfaqësues të Qendrës të Kujdesit Ditor “OJQ Zana” dhe nxënës të shkollës “Motrat Qiriazi” në Klinë, me të cilët ka diskutuar lidhur me nevojat, kërkesat e personave me autizëm dhe mundësitë që ka komuna për të ndihmuar në sigurimin e kushteve më të përshtatshme për ta.
Kryetari Elezaj theksoi se ne do të angazhohemi vazhdimisht për të siguruar kushte më të mira për personat me autizëm. Ai tha se Komuna ka angazhuar staf mbështetës në shkolla dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtohet numri i stafit mbështetës për mbështetjen e nxënësve me autizëm.
Ai shtoi se Komuna ka mbështetur Qendrën e Kujdesit Ditor ‘OJQ ZANA” me mjete financiare dhe synojmë që të rrisim mbështetjen për ta, në mënyrë që të mobilizohemi në mbështetje të këtyre fëmijëve.
Ndërsa znj. Natalia Rosu falënderoi kryetarin Elezaj për pritjen dhe foli për rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së tyre.