Republika e Kosoves

Klinë

NË KLINË U SHËNUA 28 NËNTORI

2022/11/28 - 7:05

Nënkryetarja e komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, e shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, mixha Halil Krasniqi, babai i dëshmorit Mujë Krasniqi, komandanti i Policisë në Klinë, z. Ragip Bytyqi, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve e qytetarë, me disa aktivitete kanë shënuar 28 Nëntorin, ditën e flamurit, njëherësh 110 vjetorin pavarësisë së Shqipërisë.
Aktivitetet kanë filluar pranë objektit të komunës, ku është bërë ngritjen e flamurit kombëtar dhe është bërë intonimi i himnit, për të vazhduar më pas me homazhe dhe vendosjen e kurora lulesh pranë shtatores së heroit të kombit Mujë Krasniqit, busti i heroit Skënderbeut, pllaka përkujtimore e të pagjeturve, busti i ish mësimdhënësit dhe ish kryetarit të komunës, Ismet Rracit, si dhe pranë bustit të dëshmorit Arben Haliti.
 
Në shenjë nderimi e përkujtimi për heronjtë e kombit, janë bërë homazhe edhe në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë.
 
Me këtë rast, nënkryetarja Selamanaj ka uruar të gjithë për festat e 28 nëntorit, duke e theksuar si datën historike me rëndësi të jashtëzakonshme për kombin tonë.
 
“Përveç gëzimit dhe krenarisë së madhe për këtë ditë, të mos harrojmë kurrë sakrificën e atyre që sollën lirinë që i dhanë vlera të panumërta këtij kombi. Si institucione obligohemi të punojmë edhe më shumë që t`i mbrojmë të arriturat të cilat u ndërtuan në rrugën e vështirë për liri”. – ka thënë në fund Selmanaj.