Republika e Kosoves

Klinë

PËRFUNDOI NATA E PARË E FESTIVALIT FOLKLORIK, “I KËNDOJMË LIRISË”

2019/06/07 - 3:15

Në sheshin kryesor të qytetit të Klinës, “Mujë Krasniqi”, mbrëmë u mbajt nata e parë e festivalit folklorik, “I këndojmë lirisë”, ngjarja muzikore më e rëndësishme në jetën artistike të Klinës, që mbahet në ditëlindjen e komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqit, i cili ka lindur pikërisht me 6 qershor 1967.

Në këtë vit marrin pjesë rreth 40 këngëtarë, valltarë, instrumentistë dhe ansamble nga të gjitha trojet etnike e diaspora, të cilat do të prezantohen në tri net festival me këngë burimore shqiptare. Në mbrëmjen e parë janë prezantuar 14 grupe me këngë e valle, ndërsa në mbrëmjen e sotme do të prezantohen 14 këngëtarë e grupe të tjerë.

Në natën e parë konkurruese kanë marrur pjesë Kryetari i komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, bashkë me bashkëpunëtorë dhe asamblistë të komunës. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe shumë personalitete të jetës publike, politike, kulturore, bashkëluftëtarë të Mujë Krasniqit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i komunës, z. Zenun Elezaj, theksoi se në Klinë për tri net radhazi do të ngritën e do të këndojnë këngëtarë e ansamble nga vende të ndryshme të hapësirave tona etnike, por edhe nga diaspora dhe kënga e tyre e përbashkët e tyre do të jetë një: Kënga folklorike burimore shqiptare.

“Mirë se keni ardhur në Festivalin Tradicional Folklorik e Mbarëkombëtar, “I këndojmë Lirisë”. Pikërisht 20 vite më parë, Klina, Kosova, ne, qytetarët e këtij vendi, falë veprës së Mujë Komandantit, luftëtarëve të lirisë dhe intervenimit ushtarak nga shtetet mike të perëndimit, filluam të jetojmë, mendojmë e festojmë të lirë.
Dy dekada pas, jemi këtu, bashkë me ju, për të kujtuar Mujë Kapuçin, dëshmorët e lirisë, për të festuar me këngë e valle ditëlindjen e Komandantit të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, rapsodit, që i këndoi pushka e zemra për lirinë e vendit, Mujë Krasniqit, e bashkë me të edhe lirinë.
Në këtë odeon kulturor jam i nderuar dhe tepër i lumtur që në emër të organizatorit të shpall hapjen festivalin e 19-të folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”.
Në këtë skenë për tri net radhazi do të ngritën e do të këndojnë këngëtarë e ansamble nga vende të ndryshme të hapësirave tona etnike, por edhe nga diaspora. Dhe, kënga e tyre e përbashkët e tyre do të jetë një: Kënga folklorike burimore shqiptare.
Nderim kulturës sonë kombëtare dhe universale!
Lavdi e përjetshme jetës e veprës së Komandant Kapuçit
Lavdi jetës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, tha ndër të tjera kryetari Elezaj

E veçanta e edicionit të 19-të të festivalit është se këtë vit po mbahet në sheshin Mujë Krasniqi, pranë shtatores së Komandant Kapuçit.

Edicioni i 19-të i festivalit vazhdon sonte me natën e dytë konkurruese.