Republika e Kosoves

Klinë

PËRFUNDOI NATA E PARË E FESTIVALIT FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “I KËNDOJMË LIRISË”

2024/06/07 - 10:46

Në qendër të qytetit të Klinës, në sheshin “Mujë Krasniqi”, nën patronatin dhe përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, mbrëmë është mbajtur nata e parë e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”.
Kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij përshëndetëse tha: “Krenari dhe lumturi për të përjetuar trashëgiminë tonë kulturore në këtë festivalin folklorik si dhe për të kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, një ngjarje si kjo forcon lidhjet tonë me identitetin tonë të lashtë kombëtarë dhe promovimin e bukurisë unike të traditave tona.
Lavdi e përjetshme për jetën dhe veprën e komandant Mujë Krasniqit si dhe të gjithë të rënëve për Liri.”
Në Klinë, për të festuar dhe kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë ardhur bashkëkombës nga vendet e ndryshme të Kosovës si dhe nga Maqedonia e Veriut e Austria, grupe të ansambleve të këngëve dhe të valleve, shoqëri kulturore artistike, rapsodë etj.
Në natën e parë të festivalit u shfaq një program i pasur artistik, ku performuan këto grupe rapsodësh dhe valltarë:
AKV “Jehona e Dukagjinit” Klinë,
Grupi nga Austria TR. V. FLONINGER – mysafirë të festivalit,
AKV “Anamorava” – Viti,
AKV “Selman Kadria” – Istog,
Grupi i Rapsodëve nga Juniku,
SHKA “DRITAT” Derevenit – Saraj, Shkup,
AKV “Zëri i Luginës” – Bujanoc,
Rapsodi, Nazi Hajdari,
AKV “Ilirida” – Shtime,
AKV “Flaka e Llapit” – Podujevë.
Festivali do të vazhdojë edhe për dy netë tjera me një program të pasur artistik, ndërsa në kuadër të programit do të organizohen edhe aktivitete sportive.