Republika e Kosoves

Klinë

PËRFUNDOJNË AKTIVITETET “JAVA E RINISË” NË KLINË

2023/10/11 - 10:16

Me një program të larmishëm dhe kreativ, si asnjëherë më parë, përfunduan aktivitetet “Java e Rinisë” në Klinë, ku për pesë ditë me radhë janë shfaqur performanca të ndryshme në fushën e artit, edukimit, sportit dhe informimit, në më shumë se trembëdhjetë lokacione të ndryshme dhe me një numër të madh pjesëmarrësish nga grupmoshat e reja.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, në përmbyllje të këtyre aktiviteteve tha se ka qenë një javë tejet aktive dhe dinamike sa i përket përmbajtjes së programit, duke i prekur të gjitha fushat si, art, shëndetësi, siguri, sport, sesione informuese etj., e që janë angazhuar një numër i madh i nxënësve po edhe grupmoshave më të vogla, andaj jam e lumtur që përveç argëtimit, këta pjesëmarrës na dhuruan plot energji dhe krenari gjithë këtyre ditëve.

“Aktivitete të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen, pasi Drejtoria për Kulturë do të punojë në vazhdimësi në bazë të politikave dhe programeve përkatëse që të krijojmë sa më shumë mundësi angazhimi e bashkëpunimi me të rinjtë. Falënderoj gjithsecilin pjesëmarrës që i dha hijeshi këtyre aktiviteteve dhe që shprehën dëshirat, qëllimet e tyre, sfidat me të cilat përballen ata dhe dukuritë negative që i shqetësojnë, por edhe të arriturat, sukseset dhe vullnetin e tyre për aktivitete e punë të mira që ne e vlerësojmë shumë“ – ka thënë në fund drejtoresha Gashi.