Republika e Kosoves

Klinë

PROF. DR. ZENUN ELEZAJ: TRADITA 50-VJEÇARE E KËSAJ VATRE TË ARSIMIT LE TË NA SHËRBEJË SI FRYMËZIM PËR BREZAT

2018/04/20 - 1:00

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Prof. Arben Limani, morën pjesë sot në manifestimin e shënimit të 50-vjetorit të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Kjo vatër e arsimit dhe edukimit shënoi gjysmë shekullin e rrugës historike, të mbijetesës dhe të rritës së saj.
Duke iu drejtuar nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë të pranishmëve, kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, theksoi se sot është një ditë e veçantë jo vetëm për nxënësit  dhe mësimdhënësit  e gjimnazit “Luigj Gurakuqi, por edhe për qytetarët e komunës sonë, sepse po shënojmë  gjysmë shekulli të punës  dhe të rritës së këtij institucioni edukativo-arsimor, i cili dha kontribut  të çmueshëm  në edukimin  dhe arsimimin e  gjeneratave të reja. “Për gjithë këto vite në këtë rrugëtim të dijes, kjo vatër e arsimit kombëtar ka dhënë një kontribut të madh në shpërndarjen e  rrezeve të diturisë kur brezat tanë kishin nevojë shumë për ato rreze të ngrohta të dijes kombëtare. Gjatë  pesë dekadave nëpër bankat e kësaj vatre të dijes kanë dalë shumë e shumë gjenerata dhe sot shumica  prej tyre  janë kuadro të shkencës, të arsimit dhe të  kulturës shqiptare. Ndërkaq, rruga historike e kësaj shkolle është përplot sakrifica dhe sfida, nëpër të cilat ka kaluar kjo vatër  e arsimit. Në këto pesë dekada të punës qëndroi dhe nuk u gjunjëzua  nga presionet  dhe përndjekjet  që u bënë nga regjimi  serb për të ngulfatur  këtë shkollë dhe arsimimin e shqiptarëve  përgjithësisht.  Prandaj, nuk ishte  e rastësishme  që caku i parë i sulmeve,  jo vetëm ndaj shkollës shqipe dhe të qenies  kombëtare, ishte pikërisht kjo vatër e dijes dhe e arsimit kombëtar, jubileun e së cilës po kremtojmë sot, sepse  ky tempull i dijes  ishte bërë jo vetëm përhapës  i dijes, por edhe qendër  e rezistencës në përkrahje të kërkesave të popullit për liri dhe pavarësi. Nga ky tempull u organizuan demonstrata, protesta, ndërsa  edhe luftës së fundit të UÇK iu bashkëngjitën  që nga ditët e para  edhe shumë nxënës e mësimdhënës  të kësaj shkolle. Kjo shkollë pati fatin të kishte edhe shumë nxënës dhe mësimdhënës të kauzës kombëtare. Shumë prej tyre janë dëshmorë dhe martirë  të kombit. Po ashtu, edhe në saje të dijes që kanë marrë në këtë shkollë, shumë ish-nxënës dhe ish-mësimdhënës të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” sot janë personalitete të dalluara të jetës shoqërore, politike dhe akademike në Kosovë edhe jashtë”, ka theksuar kryetari Elezaj i cili vazhdoi se  tash në Kosovën e lirë dhe të pavarur shkolla jonë po jep kontribut të çmueshëm  në edukimin e gjeneratave  të reja. Gjendja  në arsim ende  nuk është e kënaqshme, përkundër arritjeve të bëra.“Janë ndërtuar objekte të arsimit, po ashtu edhe infrastrukturë tjetër shkollore. Edhe ne si qeveri komunale, por edhe Qeveria e Kosovës jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që ta ndihmojmë këtë  segment tepër të rëndësishëm të jetës. Angazhimet e të të gjithëve janë të  sinqerta për përmirësimin  e pozitës shoqërore dhe materiale të mësimdhënësit tonë. Arsimit gjithsesi  do t’i kthehet dinjiteti dhe autoriteti që duhet të ketë. Kjo është e domosdoshme për rolin që ka në zhvillimet dhe projektet shoqërore dhe integruese, në ngarendjen për një arsim sipas trendëve bashkëkohore evropiane.
Nëse  arrijmë që nxënësit tanë të edukohen në frymën më të mirë, që të jenë nxënës  të vyeshëm dhe të dijshëm, atëherë e kemi kryer obligimin tonë. Këto janë përkushtime që i duhen arsimit  tonë.  Të hulumtojmë të arritura më të reja në fushat e dijes dhe t’u mundësojmë nxënësve të nxënë sa më shumë dije.  T’i edukojmë fëmijët tanë se si duhet të lartësohet shkolla jonë, arsimi ynë, sepse shkolla jonë  lartësohet nga të gjithë ne  bashkërisht. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se fryma e bashkëpunimit,  vetëdija dhe idealizmi janë ata faktorë që na nevojiten më shumë për ta ngritur lart arsimin, të ardhmen e vendit dhe të kombit. Kjo ditë feste  dhe tradita e pasur e kësaj shkolle le të na shërbejnë  si frymëzim dhe si shembull që të ngrihen  më lart treguesit  e cilësisë  në arsim dhe të formojmë njerëz  që do ta kenë fuqinë  e mendjes  dhe të guximit qytetar për të sfiduar vështirësitë dhe ndryshimet e shpejta shoqërore dhe teknologjike që  po ndodhin në kohën  që po jetojmë”, ka theksuar kryetari Elezaj në fjalën e tij përshëndetës.