Republika e Kosoves

Klinë

PROF. DR. ZENUN ELEZAJ: “VEPRIMTARIA E AGRONIT DO TË JETË NJË RRUGËTIM I MIRË PËR GJENERATAT E REJA”

2019/04/01 - 8:42

Në Klinë, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, është  mbajtur Akademi përkujtimore në njëvjetori e vdekjes së gazetarit, mësuesit dhe zyrtarit për Informim të Komunës së Klinës, Agron G. Gashit.

Të pranishëm në nderim të figurës dhe veprës së Agron Gashit, përpos  kryetarit të  Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Komunës, prof. Besim Hoti, kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, struktura tjera udhëheqëse komunale, familjarë të gazetarit Gashi, përfaqësues të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, kolegë e shumë miq të tij, qytetarë të Klinës etj.

Në fjalën e tij, Kryetari Elezaj shtoi se edhe pse ka kaluar një vit nga ndarja fizike e gazetarit, zyrtarit për informim të Komunës, bashkëpunëtorit tim, Agron Gashi, e kam shumë të vështirë t’i rendis këto fjalë dhe të shpreh dhimbjen, por edhe krenarinë që pata fatin ta kem një mik, bashkëpunëtor të palodhshëm dhe shumë kualitativ. “Ndarja e hershme dhe e papritur  nga jeta e Agronit ka tronditur  thellë të gjithë  ne  stafin e Komunës, por edhe qytetarët e Klinës.   Edhe sot pas një viti nuk e kemi lehtë të pajtohemi me humbjen e tij, sepse  deri vjet  ishim bashkë më të, ndanim së bashku mendime dhe opinione për shumë angazhime në punë, për aktualitetin, për jetën… Agron Gashi ka qenë njeri me të cilin ta kishte ënda të bisedosh për të gjithë çështjet, sepse atë përherë e karakterizonte maturia, urtësia dhe mendimi i pjekur. Tashmë jemi të vetëdijshëm se kemi humbur  një mik, një njeri me virtyte dhe cilësi të larta  njerëzore, një gazetar  profesionale dhe objektiv. Veprimtaria e Agroni  do të jetë gjithnjë një rrugëtim i mirë  për të gjitha  gjeneratat e reja”, ka shtuar në fjalën e tij kryetari Elezaj.

Me këtë rast me fjalë nekrologu u prezantuan edhe drejtori i shkollës fillore të mesme të ultë, “Emin Duraku, në Sferkë,  z.  Reshit Gashi, ku Agroni  për disa vite punoi si arsimtar, pastaj poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe, prof. Hajdin Morina, gazetari shumëvjeçar i RTK-së, z. Enver Maloku, ndërsa në fund të pranishmit në emër të familjes me një fjalë rasti i përshëndeti biri i Agron Gashit, Arbër Gashi.  

Në fund të aktiviteteve është mbajtur finalja në futboll të vogël, ku për fituesit dhe pjesëmarrësit u ndanë kupa dhe mirënjohjeje.