Republika e Kosoves

Klinë

Reagim ndaj shkrimit të publikuar në gazetën “Express” me titull “Ndodhë edhe kjo në Çabiq të Klinës, del bari nga asfalti”

2019/04/15 - 3:55

Komuna e Klinës për hirë të korrektësisë dhe transparencës së vazhdueshme që ka treguar dhe vazhdon të tregojë me media dhe opinionin, reagon ndaj shkrimit të publikuar në portalin informativ “Express” me titull “Ndodhë edhe kjo në Çabiq të Klinës, del bari nga asfalti”.

Komuna e Klinës dëshiron të shfrytëzojë rastin të njoftojë publikun, veçanërisht qytetarët e Komunës së Klinës, se Kuvendi Komunal në seancën e VII-të, të mbajtur më 31.07.2018, ka marrë vendim të bëjë rialokimin e mjeteve financiare, në shumën prej 60 000 euro, nga projekti “Ujësjellësi në fshatin Çabiq” në projektin “Asfaltimi i rrugëve lokale në fshatin Çabiq”.

 

Vendimin për rialokim të mjeteve, Kuvendi Komunal e ka marrë si rezultat i kërkesave nga ana e banorëve të këtij lokaliteti, në takimin ndërmjet Kryetarit të Komunës, z. Zenun Elezaj, ekzekutivit të komunës dhe qytetarëve të fshatit Çabiq, të mbajtur më datë 05.07.2018, ku kanë kërkuar që prioritet i investimeve të jetë asfaltimi i rrugëve lokale dhe të bëhet transferimi i mjeteve financiare nga projekti i ujësjellësit në projektin për asfaltimin e rrugëve dhe se Komuna e Klinës, në vitin 2018, ka siguruar një donacion në vlerë prej 700 mijë euro nga CDI, për shtrirjen dhe funksionalizimin e rrjetit të ujësjellësit në nëntë fshatra, duke përfshirë edhe Çabiqin, projekt që do të fillojë së implementuari shumë shpejt dhe që do të zgjidhë problemin e ujit të pijshëm për banorët e këtyre fshatrave.

Kjo mund të vërtetohet edhe në kopjen e procesverbalit nga takimi i ekzekutivit të Komunës me qytetarë të datës 05.07.2018 dhe vendimin e Kuvendit Komunal të datës 16.07.2018.

Andaj, konstatimi i ngritur dhe i specifikuar në shkrimin e gazetës Express, se “Rreth 900 banorë të këtij fshati që nga viti 2013 kishin deklaruar si prioritet ujësjellësin ndërkohë që vitin e kaluar në vend të tij fituan këtë rrugë”, nuk qëndron dhe është plotësisht konstatim i pasaktë.

Sa i përket cilësisë së punimeve, Komuna ka pranuar një raport nga Komisioni mbikëqyrës i këtij projekti, i cili ka vërejtur se cilësia e punimeve nuk është në përputhje me kushtet e parapara në kontratën e nënshkruar me operatorin ekonomik, dhe në raportin e datës 11.04.2019 kompania është urdhëruar që të bëjë sanimin e defekteve në projekt, të cilat ka filluar të i riparojë dhe koston financiare e të cilave do ta bartë vet.

Duhet theksuar se pranimi teknik i punimeve ende nuk është bërë dhe kjo do të bëhet në momentin që përfundojnë punimet plotësisht dhe pas një vlerësimi nga e Komisionit të veçantë për pranim teknik

Komuna e Klinës, po ashtu, dëshiron të sqarojë se punimet për asfaltimin e rrugëve lokale në fshatin Çabiq, për shkak të kushteve klimatike që kanë mbizotëruar në fundvit, nuk ka përfunduar ende dhe kontrata e nënshkruar me operatorin ekonomik është në vlerë prej 92.259.75 euro, ndërsa për shkak se projekti nuk ka përfunduar në tërësi, pagesa është bërë  vetëm për punët e përfunduara, në vlerën e 63 000 euro, kurse pjesa tjetër do të paguhet pasi të përfundojnë punimet në tërësi.

Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, zotohet se cilësia e punimeve do të jetë në përputhje me kontratën e nënshkruar me operatorin ekonomik dhe se mbetemi të përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive të saja karshi kërkesa dhe nevojave të qytetarëve.