SHËNOHET DITA E SHKOLLËS FILLORE TË MESME TË ULËT “ISMET RRACI”
2023/09/18 - 6:46
Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismet Rraci” në Klinë sot ka shënuar 77 vjetorin e themelimit. Në shënimin e kësaj dite të pranishëm ishin i kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi, komandanti i stacionit të policisë në Klinë, z. Ragip Bytyqi, drejtori i Arsimit, z. Qemajl Sejdija, familjarë të të ndjerit Ismet Rracit, dhe mësimdhënës e nxënës të shkollës.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, duke iu uruar menaxhmentin dhe mësuesit për ditën e shkollës, foli për vlerat që ka kultivuar kjo shkollë dhe për kontributin e madh të veprimtarit, ish kryetarit të komunës dhe ish mësuesit, Ismet Rracit, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë.
“Ndihem i lumtur që sot gjendem mes jush në shënimin e ditës së shkollës, e cila ka një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në përhapjen e dijes dhe diturisë kombëtare dhe e cila me krenari mbanë emrin e një veprimtari të pashoq të çështjes kombëtare, ish mësuesit e ish kryetarit të komunës, Ismet Rracit.
Kjo shkollë përveç që ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në përhapjen e dijes dhe diturisë kombëtare është një nga shkollat më të mira jo vetëm në Klinë por edhe në tërë vendin si për nga kushtet e mira infrastrukturore ashtu edhe për cilësinë e mësimdhënies.
Ju uroj të gjithëve ditën e shkollës dhe ju uroj suksese të vazhdueshme të gjithë mësimdhënësve me shpresën që shumë shpejt të vazhdojë procesi mësimor në kushte normale.”
Po ashtu, në shenjë përkujtimi të ish kryetarit të komunës dhe veprimtarit, Ismet Rracit, sot janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh pranë bustit të tij.