Republika e Kosoves

Klinë

Shënohet dita e shkollës së mesme të lartë “Luigj Gurakuqi”, premtohen 30 000 euro investime.

2019/04/19 - 2:46

Sot, shkolla e mesme e lartë, “Luigj Gurakuqi”, në Klinë, ka shënuar 51 vjetorin e themelimit. 

Në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle morën pjesë Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj bashkë me bashkëpunëtorë, mësues dhe nxënës të kësaj shkolle.

Me këtë rast, kryetari Elezaj në fjalën e tij theksoi se ndjehemi krenar për traditën e suksesshme të kësaj vatre të dijes, e cila ka dhënë shumë për zhvillimin e Klinës dhe vendit. Gjithashtu, jemi përgjegjës në krijimin e kushteve që ne të jemi më të dijshëm që të ardhmen ta ndërtojmë bashkë me ju.

“Ndjehem i lumtur, që sot, në këtë ditë të madhe feste për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët e Klinës dhe arsimin shqip, të gjendem mes jush, për të kujtuar, përjetuar dhe shënuar bashkërisht këtë ngjarje të rëndësishme, 51 vitet e jetës dhe mbijetesës së kësaj vatre të dijes dhe diturisë kombëtare, e cila me krenari mban emrin e rilindësit të shquar, luftëtarit të pushkës dhe të penës, Luigj Gurakuqi, një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike.
Sot, në frymën e lirisë që po mbushën 20 vjet të mbërritjes së saj, nga ju brez i ri, brez i së ardhmes së ndritur të këtij vendi, vendi dhe arsimi ynë kanë nevojë për idetë dhe energjitë tuaja.
Ndjehemi shumë krenar për traditën e gjatë dhe të suksesshme të kësaj vatre të dijes shumë të rëndësishme në komunën e Klinës, e cila ka dhënë shumë për zhvillimin e Klinës dhe vendit. Gjithashtu, jemi përgjegjës në krijimin e kushteve që ne të jemi më të dijshëm që të ardhmen ta ndërtojmë bashkë me ju.
Suksese dhe mbarësi në rrugën tuaj të dijes!
Gëzuar ndër vite dhe dekada dita e shkollës!”, tha në fjalën e tij kryetari Elezaj.

Shkolla e mesme e lartë, “Luigj Gurakuqi”, fillojë së funksionari në vitin 1968 si paralele e shkollës së Pejës, ndërsa një vit më vonë pavarësohet me vendim të Komunës së Klinës dhe merr këtë emër që ka edhe sot.
Në këtë institucion arsimor vijojnë mësimin 825 nxënës në 30 paralele dhe dy drejtime: Shoqëror dhe Natyrorë, ndërsa ka 49 mësues.

Për këtë vit, Komuna e Klinës, për rregullimin e brendshëm të kësaj shkolle ka planifikuar 30 000 euro investime.