Republika e Kosoves

Klinë

SHKOLLA “DËSHMORËT E QËNDRESËS” NË GLLAREVË ME STANDARDE EVROPIANE, NDËR MË TË MIRAT NË KOSOVË

2024/08/27 - 4:38

Me një investim afër 1 milion euro nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe komuna e Klinës, shkolla “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë është shndërruar në një nga shkollat më infrastrukturën më të mirë në Kosovë. Në kuadër të përgatitjeve që po bëjmë për fillimin e vitit të ri shkollor, kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj bashkë me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, kanë vizituar SHFMU “Dëshmorët e Qëndresës”, ku bashkë edhe me drejtorin e shkollës, Uran Hasanaj, kanë parë nga afër punën e mirë që është bërë, për çka kryetari Elezaj edhe e përgëzoj drejtorin e DKA-së dhe drejtorin e shkollës për angazhimin e treguar.

Shkolla është e gatshme dhe nga 2 shtatori nxënësit e mësimdhënësit do të fillojnë procesin mësimor në ambientet e rinovuara e moderne.

“Pas investimit të bërë, shkolla do të ketë kabinete të informatikës, kabinete të biologjisë, fizikës e kimisë, sistemin e zërimit në klasë, sistemin kundër zjarrit, shkallët emergjente, janë vendosur kamerat e sigurisë, lifti dhe tualetet për persona me aftësi të veçanta, inventari i ri, sistemi i ngrohjes me pompa termike.

Po ashtu është bërë izolimi i tërësishëm i shkollës, rregullimi i oborrit, rinovimi i brendshëm, me klasë e salla moderne, duke i dhënë një pamje të bukur e kushte pune të jashtëzakonshme.

Me qëllim që të rritet cilësia në arsim, ne do të vazhdojmë të angazhohemi maksimalisht që shkollat në komunën tonë dhe nxënësit e mësimdhënësit tanë të kenë kushte moderne në shkolla.

Stafit të shkollës, mësimdhënësve e nxënësve ju uroj suksese sa më të mira në ambientet e reja të shkollës!” – ka thënë Elezaj.