Republika e Kosoves

Klinë

U mbajt Akademi Përkujtimore në 20 vjetorin e ditës së të pagjeturve të Klinës

2019/04/04 - 2:57

Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 20-të vjetorit të ditës së të pagjeturve të Komunës së Klinës.

Të pranishëm në këtë Akademi Përkujtimore ishin Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, përfaqësues të institucioneve lokale të Komunës së Klinës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, familjarë të të rënëve për lirinë e vendit dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, në fjalën e tij, kryetari Elezaj theksoi se ky tubim që po mbahet sot ka një simbolikë të veçantë, sepse kjo dhimbje nuk iu takon vetëm familjarëve, por me këtë dhimbje, por edhe krenari kombëtare, bashkëjetojmë gjithë qytetarët e Klinës dhe Kosovës dhe përmes këtyre momenteve kujtese dëshirojmë të tregojmë se nuk do të ndalemi së angazhuari deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurit të fundit.

“Masakra e Kralanit, por edhe shumë masakra të tjera anekënd Kosovës, janë dëshmi se Serbia jo vetëm që vrau shqiptarë, por u përpoq që t’i humb gjurmët e mizorive që ka shkaktuar gjatë luftës. Ne, si institucione lokale, do të angazhohemi që e vërteta mbi gjenocidin serb të ushtruar ndaj popullatës sonë të zbardhet plotësisht, dhe dëshirojë t’ju shpreh përkushtimin tonë maksimal, që nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie, dhe që secili i pagjetur dhe gjithë familjarët që janë në pritje për shumë vite për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, më në fund të mësojnë për fatin e tyre, ndërsa institucionet relevante vendëse dhe ndërkombëtare, duhet të ushtrojnë presion mbi Serbinë që fati i të cilëve sot na mungojnë të ndriçohet një herë dhe përgjithmonë, në mënyrë që kjo plagë të mbyllet dhe ata që kanë shkaktuar këtë dhimbje popullit të Klinës dhe Kosovës, të marrin përgjigjen e merituar.

Kjo plagë e madhe e luftës, e cila vazhdon të rëndojë mbi ne, duhet mbyllur sa më parë dhe ky duhet të jetë obligim i të gjithëve. Të gjithë ata që i kanë shkaktuar këto dhimbje të mëdha popullit të Klinës dhe të Kosovës, duhet të marrin përgjigjen e meritua.

Lavdi e përhershme për dëshmorët,  martirët e kombi dhe gjithë të rënët për lirinë e Kosovës”, tha ndër te tjera kryetari Elezaj.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, tha se pa u  njohtë e vërteta e masakrave të kryera në Kosovë nga regjimi serb, është e vështirë të njihet e vërteta për Kosovën.

4 prilli shënohet si dita e të pagjeturve të Klinës, ndërsa ky vit është 20 vjetori i ditës së të pagjeturve të Klinës.