Republika e Kosoves

Klinë

U mbajt Akademi përkujtimore për Dëshmorin e Kombit Mirush Dakaj (Korbi)

2018/09/11 - 4:34

Në përkujdesje të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe organizim të Shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë, sot është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar Dëshmorit të Kombit, Mirush K.Dakaj (Korbi), në nderim të jetës dhe veprës së tij, me rastin 20 vjetorit të rënies .


Akademia u mbajt në Qendrën Kulturës, “JEHONA E DUKAGJINIT”,  dhe në nderim të figurës së Dëshmorit të Kombit, Mirush Dakaj( Korbi ) ,me një fjalë rasti ,Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr.Zenun Elezaj tha se:

Jemi tubuar sot këtu për ta kujtuar luftëtarin e denjë të UÇK-së dhe dëshmorin e kombit, Mirush Dakaj, i cili, sot  20 vjet më parë ra për lirinë e Kosovës, për të mbetur i përjetësuar në piedestalin e vlerave më të lartësuara të kombit. Mirush Dakaj, duke i takuar kategorisë së  njerëzve  me një etikë të përsosur dhe me një moral  shembullor, do t’i përvishet punës  me vetëdije më të lartë  dhe me synime të caktuara për çlirimin e këtij populli një herë e përgjithmonë nga  kthetrat ogurzeza që me shekuj kishin mbërthyer popullin e tij.

Mirush Dakaj, ishte i vetëdijshëm se në rrugën që kishte zgjedhur nuk do ta kishte lehtë, se ajo rrugë kalohej përmes vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha. Ai e kishte të qartë se lirinë nuk ta fal askush dhe se ajo fitohet vetëm me  sakrificë dhe me gjak.

Emri  dhe vepra e Mirush Dakës, mbesin një fanar i pashuar i atdhetarizmit dhe herorizimit, përkushtimit dhe kontributit, i vetëdijes së lartë  prej një intelektuali dhe veprimtari të palodhshëm që nuk kurseu asgjë asnjëherë për interesat madhore të popullit të tij. Puna, angazhimi dhe sakrifica e tij gjatë gjithë rrugës jetësore figurën e Mirushit e bëjnë të pavdekshëm. Mirush Dakaj, përjetësisht mbetet dëshmor  i  lirisë,  simbol i fuqishëm si shprehje e dashurisë dhe përkushtimit për liri dhe pavarësi.

Mirush Dakës, kësaj figure markante, për gjithë punën dhe sakrificën që ka bërë për ne,  i  takon  nderimi i përjetshëm, ndërsa ne kemi për obligim që vepra e tij të na shërbejë  udhërrëfim  dhe fanar për të ardhmen.

I përjetshëm mbetet kujtimi për Mirushin!

Lavdi jetës dhe veprës së këtij dëshmori të kombi dhe gjithë dëshmorëve të tjerë!