Republika e Kosoves

Klinë

U mbajt edicioni i parë i festivalit kulturor, Camping Fest

2019/07/06 - 9:09

Të premten është mbajtur edicioni i parë i festivalit kulturor, “Camping Fest”, festival i cili është mbajtur në lokalitetin arkeologjik në fshatin Dresnik dhe është organizuar nga Komuna e Klinës.

Në këtë organizim morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendi Komunal, Fadil Gashi, përfaqësues të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, drejtorë të drejtorive komunale, artistë dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari Elezaj në fjalën e tij më rastin e hapjes së këtij edicioni të festivalit “Camping Fest”, përgëzoi organizatorët, bizneset vendase dhe të gjithë ata që e bënë të mundur bashkë me Komunën e Klinës realizimin e këtij eveniment.

Elezaj gjithashtu theksoi se fshati Dresnik mbetët element i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, si një aspekt i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe gjetje me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike, i vetmi i këtij lloji zbuluar deri tani ne territorin e Republikës se Kosovës mbetët thesari më i çmuar që kemi.

Ky festival promovon trashëgiminë kulturore, zhvillimin e turizmit lokal, afirmimin e vlerave kulturore, promovimin e prodhimeve vendore, bujqësore dhe artizanale. Po ashtu kishte për qëllim edhe  nxitjen e audiencës së re në jetën kulturore dhe pasqyrimin e trashëgimisë kulturore-artistike në Klinë.

Programi i festivalit kishte një përmbajtje të larmishme ku u shfaqen monolog, muzikë, instrumentale, etnologji, film, promovime, lojëra popullore, Oda e Lalës, koncert etj.