Kryetari Ahmeti, së bashku me kryetarët e këshillave të prindërve dhe drejtorët e shkollave, mori vendimin që doracakët e lëndës “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” të mos zbatohen në shkollat e Komunës së Lipjanit
2024/11/15 - 1:06
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, së bashku me kryetarët e këshillave të prindërve dhe drejtorët e shkollave, mori vendimin që doracakët e lëndës “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” të mos zbatohen në shkollat e Komunës së Lipjanit.
Gjatë këtij takimi, Kryetari Ahmeti u shpreh qartë se doracakët e shumë përfolur nuk do të gjejnë zbatim në procesin arsimor të nxënësve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave të familjes dhe mbrojtjes së fëmijëve nga materialet që mund të jenë të papërshtatshme.
“Ky vendim reflekton përkushtimin tonë për të siguruar që edukimi i fëmijëve të jetë në harmoni me vlerat tona familjare dhe kulturore, duke i mbrojtur ata nga përmbajtje të cilat mund të jenë të papërshtatshme për zhvillimin e tyre”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Nga ana tjetër, drejtorët e shkollave dhe kryetarët e këshillave të prindërve shprehën qartë qëndrimin e tyre rreth kësaj lënde, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një mjedisi arsimor të shëndetshëm për fëmijët tanë dhe potencuan se përmbajtjet që mund të jenë të papërshtatshme dhe që cenojnë vlerat tona familjare nuk duhet të jenë pjesë e shkollave tona.
Me iniciativën e drejtorëve të shkollave dhe këshillit të prindërve, u dakorduan që lënda “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” të mos përfshihet në përzgjedhjen e kurrikulave me zgjedhje në të gjitha shkollat e komunës së Lipjanit.