Me aktivitete të ndryshme shënohet Dita Botërore e Pastrimit
2024/09/20 - 12:08
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pastrimit, Drejtorati për Planifikim Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Lipjanit sot organizoi një sërë aktivitetesh me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e ambientit.
Drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, z.Imri Semetishti theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke nënvizuar se përpjekjet për ruajtjen e mjedisit duhet të jenë një angazhim i përditshëm i yni. Ai ftoi qytetarët që të kontribuojnë në krijimin e një ambienti të pastër dhe të shëndetshëm për komunitetin.
Aktivitetet vazhduan me një nismë praktike, ku nxënësit, qytetarët, operatori për mirëmbajtje dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare u angazhuan në pastrimin e hapësirave publike. Në përfundim të këtij aksioni, pjesëmarrësit shpërndanë letra informuese për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, duke synuar të përçojnë mesazhin se kujdesi ndaj natyrës është një përgjegjësi e përbashkët.