Republika e Kosoves

Lipjan

 

Edhe Komuna e Lipjanit është në Kosovë!

2023/12/13 - 3:52

Buxheti 2024 për Komunën e Lipjanit reflekton përjashtim, me zero projekte të reja për vitin 2024 siç ishte edhe 2023 me përjashtime të vogla, është tregues i shpërfaqur për mosbarazi, madje buxhet dënues për qytetarët lipjanas.
Asnjë projekt i ri. Janë disa projekte të filluara nga viti 2019, siç është shkolla e mesme në Lipjan e cila në vend se të përfundoj këtë vit qëllimisht është buxhetuar për 3 vitet e ardhshme dhe pritet të përfundoj në 2025.
Asnjë investim i ri, asnjë shkolle, asnjë çerdhe, asnjë rrjet ujësjellësi apo kanalizim, asnjë sallë apo palestër sportive, asnjë rrugë, asnjë park, asnjë investim. Kjo është e vërteta.
Po flasim për projekte të reja e jo ato të koduara para 3 apo 4 viteve që janë në vazhdim. Ku është kontributi i deputetëve të Lipjanit për qytetarët e Lipjanit?
Në vend se të mbështesin qytetin tonë me projekte të reja, për më keq përpiqen të shtrembërojnë të vërtetën kur edhe projektet që komuna i përfiton si p.sh nga Granti i Performancës si rezultat i matjes së shumë treguesve në performancë mundohen t’i paraqesin si mbështetje e qeverisë për komunën tonë. Projektet e Grantit të Performancës janë meritë e qytetarëve dhe rezultateve të performancës të Komunës e jo mbështetje e vullnetit nga qeveria e aq më pak nga deputeti lipjanas.
Në vend të projekteve kjo qeveri dëshiron ta vendosë deponin e mbeturinave pa pëlqimin tonë, pa asnjë lloj leje apo komunikimi me ne. Ne, me kohë kemi dërguar kërkesat tona në ministritë përkatëse për projekte, madje edhe kemi dërguar amandamente në Komisionin për Buxhet e Financa të Parlamentit të Kosovës, por asnjë projekt nuk është pranuar të buxhetohet.
Për më keq ministritë përkatëse vazhdojnë të buxhetojnë mjete për projekte që kanë përfunduar. Së fundi përmes shkresave zyrtare kemi kërkuar të buxhetohet ujësjellësi regjionit të Kraishtes, por nuk kemi marrë mbështetje. Andaj, le të jetë e qartë asnjë projekt i ri nuk është i buxhetuar as në vitin 2024 për komunën tonë.
Përpjekja juaj me na përshkrua kinse janë disa projekte për Lipjan, është tentim për mashtrim. E vërteta duhet të tregohet, këto janë projekte regjionale siç është rruga nga QMI deri te rrethrrotullimi për Shtime, e cila që 5 vite ekziston në buxhetin e ministrisë përkatëse por nuk e zbatoni. Pse ?
Ose thuhet janë 400.000,00 euro projekt i ri për Lipjanin, por e vërteta është ato mjete janë për ndërtimin e institucionit korrektues për femra në Ministrinë e Drejtësisë (kodi buxhetor 19336) e jo mjete për Komunën e Lipjanit.
E padrejtë tentimi kinse projekt i ri.
Ama mos harroni edhe komuna e Lipjanit është në Republikën e Kosovës, ka hise në këtë vend edhe ka hise në buxhetin e vendit tonë. Lipjani është kontribues me taksapagues në buxhetin e vendit tonë dhe nuk meriton përjashtimin e tillë.
Pavarësisht, ne do vazhdojmë të realizojmë projektet tona edhe pa Ju. Lipjani do të ketë parkingje edhe nëntokësore, do të ketë edhe Parkun Qendror edhe Qendrën e Re Urgjente dhe QKMF, Investime në Shkolla, çerdhe të reja, do të vazhdojmë me asfaltimin e rrugicave, ndërtimin e sallave sportive, do të vazhdojmë me mbështetjen e Rinisë, Sportit e Kulturës , mbështetje ndaj fermerëve etj.
Ne nuk do ndalemi, për të mirën e qytetit tonë dhe qytetarëve lipjanas.
Lipjani qytet modern, qytet për të gjithë!
Shif; shkresat zyrtare drejtuar ministrive dhe buxhetimin për vitin 2024 për qendren korrektuese.
Drejtorati për Buxhet dhe Financa.