Republika e Kosoves

Lipjan

 

Sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Lipjanit është mbajtur mbledhje përkujtimore me rastin e 15 Janarit – Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë

2023/01/15 - 4:20

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Lipjanit, Daut Azemi në hapje të kësaj mbledhje përkujtimore, ka thënë se në vitet 1998-1999, në Kosovë mijëra shqiptarë mbetën të vrarë dhe të masakruar nga shteti serb së bashku me ushtrinë e policinë të cilët nuk kursyan as fëmijët, as gratë e burrat e as të moshuarit në masakrat e shkaktuara nga ky regjim, ndërsa viti 2023 shënon 24 vjetorin e Luftes në Kosovë dhe krimet e kryera nga forcat e armatosura serbe, të fushatës së programuar, planifikuar dhe të institucionalizuar shteterore, me qëllimin shfarosjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike të Kosoves, duke debuar kështu rreth 1 milion përsona, ka thënë ndër të tjera Kryesuesi Azemi.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi me një fjalë rast i’u është drejtuar të pranishmëve, ku theksoi se sot përkujtojmë gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë por kujtojmë të gjithë të rënët, dëshmorët e martirët e komunës tonë.
Nënkryetari Bytyqi, ka thënë se 15 janari për ne nuk mbetet vetem një datë kalendarike, por kjo datë hyn në historinë e shtetit tonë, sepse rikthen memorien tonë tek masakrat e para 24-viteve – në Reçak e në shumë vende në Kosovë si në: Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, në Celinë, në Mejë e po ashtu 15 janari na kujton heroin tonë Ismail Luma e gjithë dëshmorët tjerë që ranë në altarin e lirisë, por na kujton edhe masakrat në komunën tonë: Në Sllovi, në Hallaq të Vogël në Ribar të Vogël.
Po ashtu nënkryetari Bytyqi, tha se ngjarje që natyrshëm familjeve, pjesëmarrësve të asaj kohe të trisht u rikujton, u ringjallë ndjenjën dhe emocionet e dhimbjes për të afërmit e familjaret e rënë. E për ne, ringjalle emocionin e krenarisë sepse pikërisht aty buroi liria jonë sot.
Prandaj NE, populli ynë, bashkë me ju familjar të dëshmorëve dhe martirëve do t’i kujtojmë e nderojmë me krenari sepse gjaku dhe sakrifica e tyre sublime i mbanë themelet e komunës tonë e të shtetit tonë, ka thënë ndër të tjera nënkryetari, Diamant Bytyqi, duke shtuar se kaluan dy dekada e me tepër nga këto ngjarje tragjike por pesha e dhimbjes sa vjen e shtohet sepse edhe sot në këtë ditë përkujtimi, pavarësisht që shteti Serb kreu gjenocid mbi popullatën e pa mbrojtur ne Kosovë, ende nuk është denuar për krimet e renda që i njeh bota mbarë.
Se liria ka çmimin e vet gjithmonë e patëm në ndërdijen tonë kolektive, prandaj dëshmorët dhe martirët tanë nuk u vranë, ata vetëdijshëm u flijuan për ndërtimin e vendit tonë të lirë. E për qytetarët tanë dhe ish luftetarët e UÇK-së, uroj që sa më parë ta gëzojmë dëshminë që krerët e UÇK-së dhe që lufta UÇK-së ishte e pastërt- dhe ishte luftë per Liri e Demokraci.
Nënkryetari Bytyqi, po ashtu tha se sot obligim i ynë i përbashkët është puna dhe përkushtimi i përhershëm moral dhe institucional që me përgjegjësi ta realizojmë amanetin, ëndrrën, idealin e gjithë dëshmorëve dhe martirëve tanë. Vetëm duke zhvilluar vendin tonë, ne lartësojmë e nderojmë gjithë dëshmorët e martirët tanë. Vetëm kur fëmijët tanë, brezat e sotshëm të ndihen mirë në shtetin e tyre, ne i çmojmë e i lartësojmë gjithë dëshmorët e martiret tanë.
Sot 24 vjet pas masakrave në Sllovi, Hallaq, Ribar, e gjithandej vendit tonë, mirëqenia e rinise, e qytetarëve tonë në përgjithësi është e cenueshme, është zbeh edhe dashuria për vendin dhe të gjithë së bashku jemi përgjegjës për vendin tonë, jemi përgjegjës për të ndërtuar e forcuar komunën tonë, shtetin tonë ashtu siç e deshtën gjithë dëshmorët e martirët e kombit.
Të nderuar të pranishëm, të nderuar familjar te deshmoreve dhe martireve ndihuni krenar, sepse ata qe rane e bënë Historine – E Historia na bënë më të përgjegjshëm që ta ruajmë atë që u ndërtua me sakrificë e gjak, ka përmbyllur fjalimin nëkryetari Bytyqi.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve tanë!
Gjatë kësaj mbledhje përkujtimore të Kuvendit të Komunës së Lipjanit, fjalë rast paraqiten edhe shefat grupeve parlamentare.
Me këtë rast, Gazmend Qerkini, shef i grupit parlementar nga LDK ka thënë se Serbia kreu gjenocid në Kosovë dhe këtë duhet ta themi vazhdimisht brez pas brezi, fatkeqsisht ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerzimi. Plani i Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb dhe për realizimin e këtij qëllimi ata vranë shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive vranë 800 fëmijë nën moshen 5 vjeqare.
Ndërsa, Arsim Jashari, shef i grupit parlamentar nga PDK, ka theksuar se në Kosovë agresori pushtetar serb bëri krime kundër njerzimit, të cilët ishin të përmasave aq të mëdha e që ka të bëj me elementet e gjenocidit. Gjenocidi ishte krimi më shëmtuar dhe mizor që njeh histria e njerëzore. Duke përcaktuar për qëllim shkatërrimin e një grupi kombëtarë, etnik e racor si të tillë. Krimi i gjenocidit që shteti serb zbatoi kundër shqipëtarëve të Kosovës është krimi më monstruoz i fundit të shekullit XX.
Alban Salihu, shef i grupit parlamentar nga VV, tha se sot jemi këtu ta përkujtuar një ngjarje që para se më shumë se dy dekadave e ka kapluar popullin tonë të një përpjekje çnjerzore të një makinerie jo njerzore për të çfarosur çdo gjë shqiptare një popull një histori. Bashkëkombësit po jetonin historinë nuk mund as të imagjinonin se ajo periudhë ishte një nga etapat më të rënda të historisë kombëtare.
Po ashtu fjalë rasti, ka paraqitur edhe Fitim Mëziu, anëtarë i grupit të pavarur i kuvendit, ku ka theksuar se ky takim në të cilin përkujtohen viktimat e Gjenocidi në Kosovë është hapi i parë kërkesës për drejtësi për të gjitha viktimat.
Ndërsa, Bashkim Budakova nga AAK, ka thënë ne si popull përjetuam vrasje e shfarosje massive, andaj sot në kuadër të 15 janarit Ditës së Gjenocidit në Kosovë kërkojmë që të gjithë kriminelet dhe pergjegjesit e krimeve të vihen para drejtësisë.
Në fund të kësaj mbledhje, udhëheqësit nga Komuna e Lipjanit së bashku me anëtarët e Kuvendit kanë bërë homazhe në komplekset memoriale në Sllovi dhe Hallaq.